Papa Leoni XIV ka përcjellë një mesazh të fortë kundër luftës dhe përdorimit të fesë për të justifikuar dhunën, duke deklaruar se “nuk ka asnjë luftë të shenjtë, vetëm paqja është e shenjtë”.
Përmes një videomesazhi drejtuar pjesëmarrësve në takimin ndërkombëtar “Paqe e çarmatosur dhe çarmatosëse”, të organizuar nga Komuniteti i Sant’Egidios në Asizi, Ati i Shenjtë theksoi se lufta nuk mund të zhvillohet në emër të Zotit.
Takimi zhvillohet në kuadër të 40-vjetorit të Ditës së Lutjes për Paqen, të organizuar më 1986 me nismën e Papa Gjon Palit II. Papa Leoni XIV kishte planifikuar të merrte pjesë personalisht në aktivitet, por hoqi dorë nga udhëtimi me këshillën e mjekëve.
Në mesazhin e tij, Papa nënvizoi rëndësinë e paqes si një vlerë që duhet të bashkojë popujt dhe besimet fetare, në një kohë kur konfliktet vazhdojnë të shënojnë zhvillimet ndërkombëtare.
Ai u bëri thirrje udhëheqësve fetarë dhe besimtarëve të mos lejojnë që feja të përdoret për të legjitimuar dhunën, duke mbështetur dialogun dhe përpjekjet për pajtim.
Mesazhi i Papës vjen në një moment kur thirrjet për paqe dhe për zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut mbeten në qendër të debatit ndërkombëtar.


