Ligji i ri për strehimin social parashikon një model të ndarjes së banesave në tri kategori, me synimin për të zgjeruar mundësitë e strehimit për familjet në nevojë, të rinjtë dhe familjet e reja, si dhe për të garantuar qëndrueshmërinë financiare të projekteve.
Sipas modelit 30%–40%–30%, 30% e banesave do të rezervohen për familjet në nevojë për strehim social, 40% do të jenë banesa të përballueshme për të rinjtë, studentët dhe familjet e reja, ndërsa 30% do t’i dedikohen tregut të lirë.
Kjo qasje synon të krijojë lagje të integruara, ku banesat të mos jenë të izoluara nga shërbimet bazë, transporti dhe mundësitë e punësimit. Përmes këtij modeli, synohet që strehimi të shihet jo vetëm si sigurimi i një çatie mbi kokë, por edhe si pjesë e zhvillimit të komuniteteve dhe përmirësimit të kushteve të jetesës.
Një tjetër element i politikës së re është platforma kombëtare “Hap një Derë”, e cila synon të lehtësojë identifikimin e banesave të disponueshme dhe aksesin në skemat e qirasë së subvencionuar.
Në kuadër të programit, shteti parashikohet të mbulojë 50% të vlerës së kontratës së qirasë për përfituesit që plotësojnë kriteret përkatëse.
Përmes këtyre masave, qeveria synon të zgjerojë mundësitë për strehim të përballueshëm dhe të ndërthurë politikat e banesave me nevojat sociale dhe ekonomike të qytetarëve.


