Exit-poll-et e publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit në Izrael tregojnë një garë të ngushtë mes kampit të kryeministrit në detyrë, Benjamin Netanyahu, dhe opozitës së drejtuar nga Gadi Eisenkot. Sondazhet paraprake nuk i japin asnjërit bllok 61 mandatet e nevojshme për të formuar shumicën parlamentare, duke hapur rrugën për negociata të vështira politike.
Sipas projeksioneve të publikuara nga televizionet izraelite Channel 12, Channel 13 dhe transmetuesi publik Kan, blloku i Netanyahut pritet të marrë rreth 50 mandate në Knesset, parlamentin me 120 vende. Ndërsa opozita e drejtuar nga Eisenkot projektohet të sigurojë 52 deri në 53 mandate.
Partia Likud e Netanyahut pritet të mbetet forca më e madhe individuale, me 24–25 mandate, ndërsa partia Yashar e Eisenkot parashikohet të marrë 21–23 vende. Megjithatë, numri i mandateve të partive të veçanta nuk përcakton i vetëm se kush mund të formojë qeverinë, pasi vendimtare është krijimi i një shumice përmes koalicioneve.
Partitë arabe mund të bëhen vendimtare
Një nga elementet kryesore të rezultateve paraprake është numri i mandateve që pritet të fitojnë partitë arabe. Sipas exit-poll-eve, ato mund të sigurojnë së bashku 17–18 vende në parlament.
Kjo i bën potencialisht vendimtare përpjekjet e opozitës për të formuar një shumicë, por rruga mbetet e ndërlikuar. Sipas ‘The Times of Israel’, drejtues të opozitës kanë përjashtuar kryesisht mundësinë e përfshirjes së partive arabe në një qeveri të përbashkët, ndonëse mbështetja e tyre mund të jetë thelbësore për të siguruar votat e nevojshme.
Nëse asnjëri kamp nuk arrin të krijojë një shumicë parlamentare, Izraeli mund të përballet me negociata të gjata dhe, në rast dështimi të përpjekjeve për formimin e qeverisë, edhe me zgjedhje të tjera.
Sipas Reuters, pas përfundimit të numërimit, presidenti Isaac Herzog do të konsultohet me drejtuesit e partive dhe do të caktojë kandidatin që vlerëson se ka më shumë mundësi për të formuar qeverinë. Kandidati i mandatuar ka deri në 42 ditë për të siguruar një koalicion.
‘Pjesëmarrje rekord në zgjedhje’
Zgjedhjet e së martës u shoqëruan me pjesëmarrje të lartë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 20:00 sipas orës lokale, pjesëmarrja kishte arritur në 74.3%, duke tejkaluar pjesëmarrjen e përgjithshme prej 70.6% të regjistruar në zgjedhjet e vitit 2022. Mediat ndërkombëtare e kanë përshkruar pjesëmarrjen si një nivel historik për dekadat e fundit.
Votimi i kësaj të marte është i pari që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe periudha e luftërave e trazirave që pasoi. Sipas raportimeve të ‘The Guardian’, zgjedhjet zhvillohen në një klimë të tensionuar politike dhe sigurie, ndërsa e ardhmja politike e Netanyahut është një nga çështjet kryesore të garës.
Pak para mbylljes së qendrave të votimit, autoritetet refuzuan kërkesën e Likud-it për të zgjatur orarin e votimit.
Megjithatë, shifrat e publikuara deri tani janë vetëm projeksione dhe nuk përbëjnë rezultat përfundimtar. Numërimi zyrtar mund të ndryshojë shpërndarjen e mandateve, veçanërisht për partitë e vogla pranë pragut zgjedhor prej 3.25%. Sipas Reuters, rezultatet zyrtare pritet të publikohen më 4 nëntor.
© SYRI.net