Kreu i Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, ka ironizuar mënyrën se si, sipas tij, po interpretohen protestat dhe dhuna ndaj qytetarëve, duke vënë në dukje kontrastin mes ngjarjeve në terren dhe pretendimeve që përdoren për t’i shpjeguar ato.
Gjatë një interviste në emisionin “Prime News24”, Kalaja foli fillimisht për gjendjen shëndetësore të djalit të tij, duke konfirmuar se ai është mirë. Ai shprehu mirënjohjen për qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që i kanë qëndruar pranë familjes, si dhe për stafin e News24 dhe persona të tjerë që kanë ofruar ndihmën e tyre.
Kalaja tha se nuk mund t’i bënte publikë të gjithë emrat e atyre që e kanë ndihmuar, por vlerësoi mbështetjen e marrë në këtë periudhë.
Më pas, ai e zhvendosi vëmendjen te protestat dhe reagimi ndaj tyre, duke përdorur një gjuhë ironike për të kundërshtuar atë që e konsideron si përpjekje për të relativizuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.
“ Nuk është çudi që nesër të dëgjojmë se protesta nuk është e vërtetë, por është ndërtuar me inteligjencë artificiale. Nuk është çudi që të dëgjojmë po ashtu se policët nuk janë policë shqiptarë, nuk janë njerëz. Ata janë alienë të zbritur nga planeti Mars, të cilët i kanë sjellë agjenturat e huaja”, u shpreh Kalaja.
Ai vijoi ironinë duke iu referuar përdorimit të plumbave të gomës, gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë gjatë përballjeve mes policisë dhe protestuesve.
Sipas tij, paraqitja e këtyre mjeteve si diçka e parëndësishme do të ishte një tjetër mënyrë për të shmangur diskutimin mbi pasojat që ato shkaktojnë.
“Plumbat e gomës nuk janë plumba të vërtetë. Ata janë një batalion mushkonjash të ardhura nga Irani, që pickojnë protestuesit dhe u hapin plagë. Edhe gazi lotsjellës nuk është i vërtetë. Ai është një iluzion optik, që përfaqëson purot kubaneze të shërbimeve kubane që kanë ardhur në Shqipëri. Edhe uji është për freski, për t’ua hedhur protestuesve”, deklaroi ai.
Përmes këtyre deklaratave, kreu i PD-së në Krujë vuri në qendër të reagimit të tij mënyrën se si justifikohet ndërhyrja e policisë, duke ironizuar pretendimet për ndikim të agjenturave të huaja dhe duke vënë theksin te dhuna e raportuar gjatë protestave.












