Gazetari Artan Hoxha ka komentuar protestat e fundit në Shqipëri dhe reagimin e qeverisë ndaj qytetarëve që kanë dalë në rrugë, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama po e tejkalon kufirin me mënyrën se si po trajtohen protestuesit nga Policia.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha bëri një paralelizëm me zhvillimet në Serbi dhe protestat kundër presidentit Aleksandar Vuçiç, duke theksuar se edhe në Shqipëri qytetarët kanë një kërkesë që i bashkon: dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Sipas gazetarit, protestuesit nuk duhet të fokusohen te emrat e kandidatëve të mundshëm për kryeministër, por fillimisht te largimi i qeverisë aktuale dhe krijimi i kushteve për një proces të ri politik, përfshirë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Edi Rama nuk njeh dialogun, por vetëm shqelmin në fyt. Sa e njeh dialogun, shiko masat që mori, kërkoi gjobat, tha do t’ju ndalojë të dilni në BE. Si kërkon dialog ti?”, u shpreh Hoxha, duke kritikuar ashpër reagimin e qeverisë ndaj protestuesve.
Ai pretendoi se dhuna policore ndaj qytetarëve ka qenë tepër e rëndë dhe kritikoi institucionet për reagimin ndaj rasteve të raportuara gjatë protestave. Sipas tij, organet e drejtësisë duhet të hetojnë të gjitha rastet e pretenduara të dhunës dhe jo vetëm ato që kanë marrë vëmendje publike.
Hoxha u ndal edhe te arsyet që, sipas tij, i kanë nxitur qytetarët të dalin në shesh. Ai deklaroi se protestat nuk lidhen vetëm me çështje të veçanta, por me pakënaqësinë e akumuluar ndaj korrupsionit dhe lidhjeve të pretenduara mes politikës dhe krimit.
Duke iu referuar zhvillimeve në Serbi, gazetari paralajmëroi se ulja e pjesëmarrjes në një protestë nuk do të thotë domosdoshmërisht se lëvizja ka marrë fund.
“Vuçiç vajti në shtëpi, por ai do t’i bëjë llogaritë mirë, pasi po kalon çdo masë”, deklaroi Hoxha, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.












