Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ngritur shqetësimin lidhur me një automjet që, sipas tij, ka qarkulluar pak më parë në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë, duke spërkatur një lëndë të paidentifikuar.
Qytetari thotë se automjeti nuk kishte logo institucionale dhe se, kur personat që ndodheshin aty u pyetën se çfarë po spërkatnin dhe kush ishin, ata fikën pajisjen dhe u larguan menjëherë, siç pretendohet se shihet edhe në pamjet filmike.
Sipas denoncuesit, Pazari i Ri është zonë pedonale dhe hyrja e automjeteve duhet të bëhet me autorizim nga Bashkia, për furnizime ose mbledhje mbeturinash, në oraret e përcaktuara.
“Çfarë po spërkasin? Kush janë? Kush i autorizon?”, pyet qytetari, i cili kërkon të identifikohet automjeti dhe personat që ndodheshin në të.
Ai ka kërkuar që denoncimi të publikohet në mënyrë anonime, pasi shprehet se ka aktivitet tregtar në zonë dhe nuk dëshiron të përballet sërish me vështirësi për të ushtruar punën e tij.
Deri në sqarimin e rastit, mbetet e paqartë se çfarë lënde po spërkatej, për çfarë qëllimi dhe nga kush ishte kryer ky veprim.