Gjykata e Krimeve të Rënda në Romë dënoi me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, 24-vjeçarin me origjinë italo-filipinase, për vrasjen e ish-të dashurës së tij, 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, në mars të vitit 2025.
E lindur në Umbria, Ilaria ishte studente e Statistikës në Universitetin La Sapienza të Romës.
Samson u shpall “fajtor” për vrasje me rrethana rënduese, përfshirë paramendimin, si dhe për fshehjen e kufomës.
Sipas hetimeve, i riu e goditi për vdekje me thikë ish-partneren, përpara se ta fuste trupin e saj në një qese dhe ta hidhte në një humnerë në zonën e Capranica Prenestina-s, në rrethinat e Romës, në përpjekje për të fshehur krimin.
Trupi i 22-vjeçares u gjet më 2 prill 2025, disa ditë pas vrasjes. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, Samson pranoi autorësinë e krimit, duke deklaruar se nuk arrinte të shpjegonte se çfarë kishte ndodhur në ato momente.