Yield-et e bonove 12-mujore rriten sipër kufirit të 3%

Yield-i bonove 12-mujore u rrit përsëri në ankandin e kësaj jave dhe arriti një rekord të ri për dy vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar arriti në 3.06%, nga 2.89% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Yield-et e bonove 12-mujore kanë kaluar pragun e 3% për herë të parë që prej vjeshtës së vitit 2024.
Për të dytin ankand radhazi, Ministria e Financave nuk arriti të plotësonte të gjithë shumën e planifikuar të emetimit, madje kërkesa pësoi një rënie drastike. Nga 8.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga qeveria shqiptare, vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand nuk arriti më shumë se 4.93 miliardë lekë.
Yield-et e bonove 12-mujore janë rritur në mënyrë të qëndrueshme duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti. Rritja është nxitur pjesërisht nga vala inflacioniste dhe forcimi i pritshmërive për rritjen e normave të interesit. Megjithatë, së fundmi duket se rritja është ndikuar edhe nga rritja e kërkesës së qeverisë për financim në tregun e brendshëm financiar.
Sipas kalendarit të publikuar nga Ministria e Financave, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm do të rritet ndjeshëm në tremujorin e fundit të këtij viti. Shuma e programuar për t’u financuar në tregun e brendshëm, (duke përfshirë edhe rifinancimet e instrumenteve të maturuar) do të ketë vlerën 87 miliardë lekëve, në rritje me 9.4% krahasuar me shumën e planifikuar të huamarrjes për tremujorin e tretë dhe me 34% krahasuar me planin e huamarrjes në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Mbështetur në të dhënat e planit vjetor të huamarrjes, vlera e instrumenteve të borxhit që maturohen në tregun e brendshëm për tremujorin e katërt është rreth 42 miliardë lekë.
Duke zbritur këtë shumë, vlera neto e huamarrjes për tremujorin e tretë vlerësohet në rreth 45 miliardë lekë, praktikisht e barabartë me të gjithë huamarrjen vjetore neto të parashikuar në planin vjetor të huamarrjes.
Ndërkohë që Banka e Shqipërisë po reziston ende duke e mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, duke se tregu financiar i ka zhvendosur në rritje normat e interesit. Ndërkohë që deri në prill yield-et e bonove 12-mujore qëndronin poshtë normës bazë të interesit, tashmë ato janë 0.56 pikë përqindje mbi normën bazë.
Rritja e yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë ndikon gradualisht edhe në rritjen e normave të interesit të financimit për sektorin privat. Bonot 12-mujore shërbejnë si instrument benchmark për kuotimin e kredive me interes të ndryshueshëm në Lekë. Në këtë mënyrë, rritja e yield-eve përcillet automatikisht te normat e interesit të kredive dhe në vlerën e kësteve mujore të paguara nga huamarrësit./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










