Planeti po hyn në një periudhë gjithnjë e më të rrezikshme të ndryshimeve klimatike. Përqendrimet e tri gazeve kryesore serrë në atmosferë, dioksidit të karbonit (CO2), metanit dhe oksidit të azotit, kanë arritur nivele rekord gjatë vitit 2025, duke shtuar rrezikun e ngrohjes globale për dekadat dhe shekujt e ardhshëm.

Alarmi është dhënë nga Organizata Botërore Meteorologjike (OBM), agjencia e specializuar e Kombeve të Bashkuara, e cila në raportin e saj të fundit paralajmëron se atmosfera po grumbullon sasi gjithnjë e më të mëdha gazrash që pengojnë largimin e nxehtësisë nga Toka.

Sipas raportit, përqendrimi mesatar global i dioksidit të karbonit arriti në 426,8 pjesë për milion gjatë vitit 2025, ose 153 për qind të nivelit të regjistruar përpara epokës industriale, në vitin 1750.

“Edhe një vit tjetër, edhe një rekord i ri. Gazrat serrë po bllokojnë në atmosferë një sasi të paprecedentë të nxehtësisë, duke siguruar energji për dukuri ekstreme të motit dhe rreziqet që lidhen me to për ekonomitë dhe shoqëritë tona”, deklaroi Ko Barrett, zëvendëssekretare e përgjithshme e OBM-së.

Sipas saj, 11 vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtat që janë regjistruar ndonjëherë, ndërsa prirja e rritjes së temperaturave globale pritet të vazhdojë.

“CO2 ka një jetëgjatësi shumë të madhe dhe për këtë arsye do të ndikojë në klimën globale jo vetëm për vite, por edhe për dekada e madje shekuj”, paralajmëroi Barrett.

Të dhënat tregojnë se ritmi i rritjes së përqendrimit të dioksidit të karbonit është trefishuar krahasuar me vitet 1960. Nga një rritje mesatare prej 0,8 pjesësh për milion në vit, ai arriti në 2,4 pjesë për milion gjatë periudhës 2011–2020.

Vetëm ndërmjet viteve 2024 dhe 2025, përqendrimi i CO2 u rrit me 2,8 pjesë për milion, një zhvillim që lidhet pjesërisht me përdorimin e vazhdueshëm të qymyrit, naftës dhe gazit natyror.

Rekorde të reja janë regjistruar edhe për gazrat e tjerë serrë. Përqendrimi i metanit arriti në 1.948 pjesë për miliard, ose 267 për qind të nivelit paraindustrial, ndërsa oksidi i azotit u rrit në 339,1 pjesë për miliard, duke arritur në 126 për qind të nivelit të vitit 1750.

Një tjetër shqetësim është heksafluoruri i squfurit, një gaz që përdoret kryesisht në sektorin e energjisë elektrike. Sipas OBM-së, ai regjistroi rritjen më të madhe vjetore gjatë vitit 2025, megjithëse potenciali i tij për ngrohjen globale është rreth 24 mijë herë më i lartë se ai i dioksidit të karbonit.

Ekspertët paralajmërojnë se vazhdimi i këtyre tendencave do të përkeqësojë valët ekstreme të të nxehtit, thatësirat, përmbytjet dhe fenomene të tjera të rrezikshme atmosferike. Për shkak të qëndrimit të gjatë të CO2 në atmosferë, pasojat e emetimeve të sotme do të ndikojnë edhe te brezat e ardhshëm.

Raporti publikohet në prag të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, COP31, e cila pritet të nisë më 9 nëntor në Turqi.

Në këtë takim, qeveritë do të përballen me presionin për të kaluar nga premtimet për reduktimin e emetimeve në masa konkrete, në një kohë kur të dhënat shkencore tregojnë se përqendrimet e gazrave serrë vazhdojnë të rriten pavarësisht marrëveshjeve ndërkombëtare për klimën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb