Qeveria shqyrton sot buxhetin 2027, parashikohen 10 miliardë euro, kompensim për bizneset e dëmtuara nga protestat

Politikë | 2 minuta më parë

Sot qeveria do të shqyrtojë projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikohet të ketë një vlerë prej 10 miliardë eurosh. Më pas, dokumenti do të prezantohet në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit nga ministri i Financave, Petrit Mala, për të vijuar më tej me diskutimet në komisionet parlamentare.

Gazetarja Rugova Dunisha ka bërë me dije se një nga elementet e veçanta të buxhetit të ri është përfshirja e kompensimit për bizneset që kanë pësuar dëme gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet gjatë 15 ditëve të fundit. Sipas saj, mekanizmi për dëmshpërblimin e bizneseve pritet të përfshihet në buxhetin e vitit 2027, në kuadër të masave të propozuara nga kryeministri Edi Rama.

Rugova sqaroi gjithashtu se pas prezantimit të projektbuxhetit në Konferencën e Kryetarëve do të përcaktohet kalendari i punës së Kuvendit, ndërsa më pas do të nisë shqyrtimi i detajuar i zërave buxhetorë në komisionet parlamentare.

Sa i përket opozitës, gazetarja bëri me dije se Partia Demokratike pritet të vijojë bojkotin e pjesshëm të punimeve parlamentare. Sipas saj, demokratët kanë paralajmëruar se nuk do të bëhen pjesë e normalitetit parlamentar, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse PD-ja do të marrë pjesë në diskutimet për buxhetin e ri në Konferencën e Kryetarëve dhe në çfarë forme do të shprehet për paketën fiskale që shoqëron projektbuxhetin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme