Qeveria nuk shpenzon dot 756 mln euro, por rrit taksat me 150 mln euro
Buxheti i shtetit ka regjistruar një suficit rekord prej 70,3 miliardë lekësh, rreth 756 milionë euro, në nëntë muajt e parë të vitit 2026. Ky është niveli më i lartë që nga vitet ’90 dhe një devijim i plotë nga programi i planifikuar.
Megjithatë, në vend që këto para t’i kthejë në shërbime dhe investime për qytetarët, qeveria ka vendosur të rrisë sërish barrën fiskale. Me paketën e re fiskale që pritet të votohet në Parlament, bizneset dhe individët do të paguajnë të paktën 150 milionë euro taksa shtesë vitin e ardhshëm.
Çfarë parashikon paketa e re fiskale
• Tatimi mbi fitimin: rritet nga 15% në 17%.
• Tatimi mbi dividentin: rritet nga 8% në 15%.
• Pragu i TVSH-së për bizneset: ulet në 5 milionë lekë, çka do të thotë se shumë biznese të vogla hyjnë në sistemin e TVSH-së.
• TVSH-ja për ushqimet: ulet nga 20% në 6%.
• TVSH-ja për të gjitha produktet e tjera: rritet nga 20% në 21%, çka e amortizon pothuajse plotësisht uljen te ushqimet.
• Akcizat: rriten.
Paketa vjen në një moment të vështirë për biznesin, veçanërisht për eksportuesit dhe turizmin, të cilët prej muajsh ankohen për rënien e vazhdueshme të euros, që ka arritur në rreth 90 lekë.
Suficit 2,8 herë mbi planin
Sipas ndryshimeve buxhetore të mesit të vitit, bilanci në fund të nëntëmujorit duhet të ishte pozitiv me 25,4 miliardë lekë. Realizimi faktik e tejkaloi këtë nivel me rreth 45 miliardë lekë, pra suficiti doli rreth 2,8 herë më i madh se plani.
Arsyeja nuk janë të ardhurat shtesë, por paratë e pashpenzuara. Krahasimi i të dhënave zyrtare tregon se rreth 95% e tejkalimit vjen nga fondet që nuk u shpenzuan sipas planit dhe vetëm 5% nga të ardhurat shtesë.
Mosrealizimi i shpenzimeve thellohet
Paaftësia për të ekzekutuar buxhetin është thelluar këtë vit. Kjo vë në pikëpyetje logjikën e qeverisë për të mbledhur edhe më shumë taksa, në një kohë kur aftësia e saj për të shpenzuar paratë ekzistuese po përkeqësohet vit pas viti.
Në vitin 2026, mosrealizimi i planit të shpenzimeve arriti në 7,2%, nga 4% në vitin 2025 dhe 4,8% në vitin 2024. Kjo është diferenca më e madhe e tre viteve të fundit.
Raporti mes të ardhurave dhe shpenzimeve ka ndryshuar ndjeshëm. Në nëntëmujorin e vitit 2019, për çdo 100 lekë të mbledhura qeveria shpenzonte rreth 101 lekë. Në vitin 2026, për çdo 100 lekë të ardhura shpenzohen vetëm 89 lekë.
Një e katërta e investimeve mbeti në letër
Pjesa dërrmuese e diferencës prej rreth 45 miliardë lekësh lidhet me investimet e pakryera. Shpenzimet kapitale arritën në 62,8 miliardë lekë gjatë nëntëmujorit, nga 83,5 miliardë lekë që ishte plani, pra u realizuan vetëm në masën 75,2%. Shpenzimet korente u realizuan në masën 95,7%, ndërsa për investimet publike mbeti pa u përdorur pothuajse një e katërta e fondeve.
Kjo nuk është kursim. Ndryshe nga ulja e kostove administrative ose përmirësimi i eficiencës, mosrealizimi i investimeve sjell efekte negative në ekonomi. Fondet e planifikuara për rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale dhe infrastrukturë tjetër publike gjenerojnë aktivitet ekonomik gjatë ndërtimit, përmirësojnë shërbimet dhe produktivitetin dhe nxisin rritjen ekonomike afatgjatë.
Për vite me radhë, sfida kryesore e financave publike ishte sigurimi i të ardhurave të mjaftueshme. Sot, të dhënat tregojnë se problemi është tjetërkund: qeveria i mbledh paratë, por nuk di t’i shpenzojë. Dhe zgjidhja që propozon nuk është të shpenzojë më mirë, por t’u marrë qytetarëve dhe bizneseve edhe më shumë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



