Netanyahu përmbys rezultatin në Izrael, por nuk siguron dot qeverinë
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dalë përpara rivalëve në projeksionet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Izrael, por epërsia e tij nuk mjafton për të garantuar krijimin e një shumice qeverisëse. Me 57% të votave të numëruara, blloku i drejtuar prej tij projektohet të sigurojë 55 mandate, kundrejt 49 vendeve të koalicionit opozitar të udhëhequr nga Gadi Eisenkot.
Zgjedhjet janë shoqëruar me pjesëmarrje të lartë, e cila sipas raportimeve ka arritur në 77%. Megjithatë, gara për kontrollin e Knessetit mbetet e hapur, pasi rezultatet përfundimtare mund të ndryshojnë balancat mes kampeve politike.
Një rol të rëndësishëm pritet të luajnë rreth 600 mijë votat e hedhura në të ashtuquajturit zarfe të dyfishta. Kjo kategori përfshin votat e personelit ushtarak dhe rezervistëve, diplomatëve, të burgosurve, pacientëve të shtruar në spitale dhe personave të tjerë që nuk kanë mundur të votojnë në qendrat e tyre të zakonshme.
Në pritje të përfundimit të numërimit, vëmendja është përqendruar edhe te partitë arabo-izraelite, të cilat në projeksionet paraprake llogariten të sigurojnë gjithsej 16 mandate. Pozicionimi i tyre mund të ndikojë në negociatat për formimin e qeverisë dhe në mundësinë që njëri prej blloqeve të sigurojë shumicën parlamentare.
Eisenkot kërkon dorëheqjen e Netanyahut
Përballë epërsisë së kampit qeverisës në numërimin paraprak, lideri i opozitës Gadi Eisenkot ka dalë me një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin.
“Një udhëheqës i denjë do të kishte dhënë dorëheqjen”, deklaroi Eisenkot, duke vënë në pikëpyetje vazhdimin e qëndrimit të Netanyahut në krye të qeverisë.
Nga ana tjetër, Netanyahu ka nisur festimet mes mbështetësve të tij, por ka theksuar se pret përfundimin e numërimit për të pasur një pasqyrë të plotë të rezultatit.
Edhe presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar ecurinë e zgjedhjeve, duke e lidhur epërsinë e Netanyahut me mbështetjen që, sipas tij, i ka dhënë gjatë fushatës.
Exit poll-et e publikuara përpara nisjes së numërimit tregonin një garë të ngushtë mes dy blloqeve kryesore. Me avancimin e procesit, kampi i Netanyahut kaloi në avantazh, por pa arritur deri tani numrat e nevojshëm për të qeverisur i vetëm.
Për rrjedhojë, rezultati përfundimtar dhe qëndrimi i partive më të vogla pritet të jenë vendimtarë për përcaktimin e shumicës së ardhshme parlamentare në Izrael.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



