Faza e parë e kampionatit “Abissnet Superiore” përfundon sot dhe nesër. Tre takime të javës së nëntë zhvillohen këtë të mërkurë, me disa përballje që pritet të tërheqin vëmendjen.
Java hapet me ndeshjen Vora-Vllaznia, që luhet në orën 13:30 në stadiumin “FK Vora”, pa praninë e tifozëve. Vendasit synojnë të rikthehen te pikët, ndërsa shkodranët do të kërkojnë të vazhdojnë me ritmin e fitoreve pas suksesit të rëndësishëm ndaj Tiranës në Klasiken e Shqipërisë.
Të lidhura
None found
Në orën 18:30, Elbasani pret Partizanin në “Elbasan Arena”, në një përballje që premton emocione, pavarësisht pozicionit të ndryshëm të dy skuadrave në renditje. Në të njëjtën orë, Skënderbeu luan ndaj Laçit në Korçë.
Skënderbeu dhe Laçi vijnë në këtë takim pas fitoreve, çka shton interesin për përballjen, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë të përmbushin ambiciet e tyre.
Dy ndeshjet e fundit të fazës së parë luhen nesër: derbi mes Tiranës dhe Dinamos në “Niko Dovana”, në orën 13:30, si dhe përballja mes Egnatias dhe Teutës në Rrogozhinë, ku vihet përballë kreu i renditjes.




