Barcelona ka vendosur të apelojë gjobën e shqiptuar nga Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF), pas ankesës së Atletico Madridit lidhur me Julian Alvarezin.

Pavarësisht se bëhet fjalë për një gjobë simbolike, klubi katalunas këmbëngul se sjellja e tij gjatë afatit kalimtar të verës ishte plotësisht në përputhje me rregullat.


Barcelona është e gatshme ta çojë betejën ligjore më tej, duke refuzuar ta pranojë gjobën prej 602 eurosh. Klubi ka konfirmuar se do ta kundërshtojë vendimin, i cili erdhi pas një ankese zyrtare të Atletico Madridit.

Klubi madrilen pretendoi se drejtuesit e Barcelonës kishin zhvilluar negociata të palejuara me Alvarezin, ndonëse sulmuesi ishte ende nën kontratë me Atletico Madridin. Kjo situatë shkaktoi tensione të konsiderueshme mes dy klubeve të mëdha të La Ligës.

Komiteti i Jashtëzakonshëm i RFEF-së përfundoi së fundmi se Barcelona kishte kryer një “shkelje të lehtë”, në bazë të nenit 133 të kodit disiplinor të federatës. Ky vendim erdhi pasi FIFA fillimisht deklaroi se nuk kishte kompetencë për të trajtuar specifikat e këtij mosmarrëveshjeje në nivel vendor.

Sipas raportimeve të SPORT, pavarësisht vlerës së vogël të gjobës, drejtuesit e Barcelonës janë të vendosur ta pastrojnë emrin e klubit. Ata këmbëngulin se vepruan në përputhje me rregullat gjatë përpjekjeve për të transferuar Alvarezin.

Departamenti ligjor i Barcelonës beson se pranimi i gjobës do të nënkuptonte pranimin e fajësisë.

Klubi katalunas vazhdon të argumentojë se ndoqi procedurat e zakonshme, duke i paraqitur Atletico Madridit një ofertë zyrtare.

Sipas Barcelonës, mungesa e një përgjigjeje nga klubi madrilen nuk duhej ta pengonte atë të shqyrtonte mundësinë e transferimit, veçanërisht pasi lojtari kishte shprehur dëshirën për t’u transferuar në kryeqytetin katalunas./Telegrafi/