Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se pozicionet e Ukrainës në vijën e frontit këtë vit mbeten më të forta se sa kanë qenë prej një kohe të gjatë.

Zelensky tha të martën se Ukraina do të ishte në një pozicion shumë më të favorshëm nëse mbështetja ushtarake nga partnerët e saj do të vazhdonte të ishte po aq e fuqishme sa më parë.


"Fatkeqësisht, ka kufizime të konsiderueshme në furnizime, ndërsa paketat e mbrojtjes ajrore po vonohen", tha ai në fjalimin e tij të mbrëmjes, duke theksuar se Kievi nuk ka raketa të mjaftueshme për sistemet e mbrojtjes ajrore "Patriot", gjë që e bën të vështirë mbrojtjen kundër sulmeve ruse.

Duke iu referuar një raporti nga komandantë të lartë, Zelensky përmendi për herë të parë operacionin "Veles", i cili shfrytëzoi tubacionet në verilindje të Ukrainës.

Ai foli gjithashtu për një operacion sulmi ajror në Ukrainën lindore dhe operacionin "Vivaldi" më në veri, të cilët kishin për qëllim të ndalonin përparimin rus në zona kyçe.

Ai tha se operacioni "Veles" u zhvillua pranë Kupianskut, një qytet në rajonin verilindor të Kharkiv-it, i cili u rimor nga forcat ukrainase në fund të vitit 2022, por që prej asaj kohe ka qenë nën presion të vazhdueshëm rus.

"Është një operacion i fuqishëm, i planifikuar mirë dhe i mbështetur në teknologji. Rusët u përpoqën të përdornin tubacionet nëntokësore të gazit për të depërtuar përtej pozicioneve tona", citohet të ketë thënë Zelensky.

"Luftëtarët tanë e kthyen këtë taktikë kundër rusëve dhe e përdorën infrastrukturën nëntokësore kundër pushtuesve me sukses të jashtëzakonshëm", u shpreh ai.

Sa i përket ofensivës "Vivaldi", një komandant i lartë raportoi muajin e kaluar se Trupi i Tretë i Ushtrisë së Ukrainës kishte pastruar një zonë prej 75 kilometrash katrorë nga grupet ruse të infiltrimit dhe kishte rimarrë nën kontroll 10 kilometra katrorë të tjerë.

Detyrë e vështirë

Ai bëri të ditur se, gjatë muajit tetor, Rusia ka lëshuar më shumë se 100 raketa balistike drejt Kievit dhe rajonit përreth.

"Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur sektorin tonë energjetik, infrastrukturën dhe logjistikën tonë. Është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë", tha ai, duke akuzuar Moskën për intensifikimin e sulmeve gjatë javëve të fundit.

"Është e rëndësishme që bota ta shohë këtë, që ta shohin partnerët tanë në Shtetet e Bashkuara – nga të cilët varet pothuajse gjithçka që lidhet me sistemet 'Patriot' – në mënyrë që të marrim përgjigje dhe autorizimet e nevojshme nga Pentagoni për furnizimet me 'Patriot'", tha ai.

Duke iu referuar bisedimeve që pritet të zhvillohen në nëntor, në të cilat do të përfshihen Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja, Zelensky theksoi se është e rëndësishme që Evropa të marrë pjesë në përpjekjet diplomatike.

"Ukraina ka këmbëngulur gjithmonë që Evropa duhet të jetë e pranishme dhe të ketë fjalën e saj në vendimmarrje. Dhe kjo, theksoj, vlen për të gjithë në Evropë. Askush nuk duhet të lihet jashtë këtij procesi", shtoi ai. /Telegrafi/