Zgjedhjet në Izrael pa fitues të qartë, Netanyahu dhe Eisenkot larg shumicës parlamentare

Zgjedhjet parlamentare në Izrael nuk prodhuan një fitues të qartë, pasi as kryeministri Benjamin Netanyahu dhe as rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, nuk arritën të sigurojnë shumicën prej 61 mandatesh të nevojshme për formimin e qeverisë, sipas exit-polleve.
Sipas projeksioneve të publikuara, me më shumë se gjysmën e votave të numëruara, blloku i Netanyahut pritet të marrë 55 mandate, një rënie e ndjeshme krahasuar me 68 mandatet që kishte koalicioni i tij në parlamentin në largim. Megjithatë, Likud mbetet partia më e madhe e vetme në vend.
Por në sistemin politik izraelit, të qenit partia më e madhe nuk garanton pushtetin. Ajo që vendos është aftësia për të krijuar një koalicion me shumicën parlamentare.
Partitë që kundërshtojnë Netanyahun projektohen me 65 mandate, sipas të dhënave të fundit. Megjithatë, ky rezultat nuk garanton formimin e një qeverie të re, pasi opozita është e ndarë mes forcave të djathta, të majta dhe të qendrës, si dhe për çështjen e bashkëpunimit me partitë arabe.
Partia Yashar e Gadi Eisenkotit projektohet si forca më e madhe opozitare, me 21 mandate. Për të siguruar pushtetin, Eisenkot mund të ketë nevojë për mbështetjen e partive arabe, të cilat së bashku parashikohet të marrin 16 mandate.
Megjithatë, ky bashkëpunim është i vështirë, pasi disa prej aleatëve të tij, përfshirë Avigdor Libermanin dhe Naftali Bennettin, kanë përjashtuar mundësinë e krijimit të një qeverie me partitë arabe. Pas publikimit të exit-polleve, të dy liderët iu drejtuan mbështetësve të tyre, duke u përpjekur të paraqesin rezultatet në favor të pozicionit të tyre politik.
Në selinë e Likud-it në Jerusalem, Netanyahu falënderoi votuesit për atë që e cilësoi si një votë të rinovuar besimi, por nuk shpalli një fitore përfundimtare.
“Dy gjëra u bënë të qarta sonte: Likud është partia më e madhe në Izrael. Për këtë nuk ka asnjë debat”, deklaroi ai, duke shtuar se blloku i djathtë ka një shumicë të qartë mes publikut hebre dhe atij sionist.
Netanyahu bëri thirrje për krijimin e një qeverie të fortë të së djathtës, duke kundërshtuar një koalicion që do të varej nga partitë arabe, të cilat ai i akuzoi se kundërshtojnë ekzistencën e Izraelit.
Nga ana tjetër, Eisenkot, duke folur në selinë e tij elektorale në Tel Aviv, deklaroi se votuesit kishin shprehur kundërshtimin ndaj vazhdimit të qeverisjes së Netanyahut.
“Ne kemi bërë histori! Publiku ka votuar për ndryshim. Koalicioni i dështimit ka humbur besimin e njerëzve”, u shpreh ai.
Eisenkot, ish-shefi i ushtrisë izraelite, i cili humbi djalin gjatë luftimeve në Gaza, shtoi se një udhëheqës që ka humbur besimin e publikut duhet të pranojë rezultatin dhe të largohet nga politika.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




