Abissnet Superiore në RTSH/ Luhen sot 3 sfida të javës së 9-të, spikat Elbasani-Partizani

Abissnet Superiore | 13 minuta më parë

Java e 9-të e Abissnet Superiore, që mbyll fazën e parë të kampionatit, do të luajë sot 3 nga 5 ndeshjet e saj. Fillimisht zbresin në fushë Vora dhe Vllaznia, në orën 13:30, në një ndeshje pa tifozë, për shkak të dënimit të fushës të ekipit vorak.

Më pas, në orën 18:30, luhen ndeshjet Skënderbeu-Laçi dhe Elbasani-Partizani. Sigurisht, vëmendjen e merr kjo e fundit, ku përplasen dy skuadra që nuk e kanë nisur mirë sezonin, sidomos të kuqtë, aktualisht të fundit në tabelën e klasifikimit.

Si Elbasani, ashtu edhe Partizani, kanë ndryshuar trajner pa u mbyllur ende faza e parë. Glen Daja ka marrë vendin e Ivan Gvozdenoviç te verdheblutë dhe pas pikës kundër Teutës në debutim, sot do të tentojë fitoren e parë në stolin e Elbasanit, aq më tepër në fushën e vet.

Partizani i vendit të fundit në anën tjetër nuk ka çfarë të humbasë dhe do të luajë gjtihçka për gjithçka. Trajneri Mislav Karoglan, në dy ndeshje në krye të të kuqve, ka pësuar dy humbje dhe një e tretë radhazi do ta komplikonte më tepër situatën për të dhe ekipin.

Dy ndeshjet e fundit të javës së 9-të dhe fazës së parë do të zhvillohen nesër. Derbi Tirana-Dinamo është spostuar në Durrës për çështje fushe dhe do të luhet në orën 13:30. Në orën 18:30, Egnatia kampione në fuqi do të presë Teutën kryesuese. Një duel mjaft interesant ky mes dy skuadrave të vendeve të para.

Të gjitha ndeshjet e Abissnet Superiore vijnë ekskluzivisht në ekranin e RTSH.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme