Një 24-vjeçar shqiptar ka kundërshtuar në apel vendimin e gjykatës së shkallës së parë në Gent të Belgjikës, e cila e dënoi me 30 muaj burg për një vjedhje të kryer në një banesë në De Pinte. Vendimi për çështjen pritet të shpallet më 24 nëntor.
Ngjarja ndodhi kur pronarja e banesës ndodhej jashtë vendit. Vëllai i saj, i cili kishte shkuar në shtëpi për të ujitur lulet, u përball me një pamje të pazakontë: ambientet ishin rrëmujë dhe kasaforta, me peshë rreth 400 kilogramë, ishte marrë nga banesa.
Brenda saj ruheshin sende me vlerë të madhe financiare dhe sentimentale, mes tyre medalje të vjetra ushtarake, unaza fejese, bizhuteri me vlerë deri në 50 mijë euro, si dhe albume fotografish familjare.
Hetimet çuan në identifikimin e të riut përmes analizave të ADN-së, pas së cilës ai u arrestua. Gjatë procesit gjyqësor, 24-vjeçari deklaroi se në momentin e vjedhjes kishte qenë nën ndikimin e alkoolit dhe drogës.
Në seancën e apelit, avokatja e tij, Pauline Collin, bëri të ditur se klienti i saj nuk i kundërshton faktet e çështjes, por kërkoi që rrethanat personale të merren në konsideratë.
“Klienti im nuk erdhi nga Shqipëria këtu me qëllimin për të kryer vepra penale”, u shpreh ajo para gjykatës.
Sipas mbrojtjes, i riu kishte punuar fillimisht në një kafene dhe më pas në sektorin e ndërtimit, por më vonë ishte përfshirë në një rreth shoqëror që, sipas avokates, ndikoi në përdorimin e drogës dhe alkoolit. Ai kishte precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje.
Gjatë seancës, 24-vjeçari shprehu pendesë për veprimet e tij. “Më vjen shumë keq. Kam bërë gabime të rënda. Nuk isha vetvetja”, deklaroi ai.
I riu tha gjithashtu se, pas lirimit, synon të kthehet në Shqipëri. Gjykata pritet të shpallë vendimin për çështjen më 24 nëntor.