Kapet në Greqi autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit R. I., kryer më datë 07.05.2026, në ambientet e lokalit të viktimës, në fshatin Gjashtë, Sarandë.
Gjithashtu po në Greqi u arrestua për llogari të policisë shqiptare një person i përfshirë në konfliktin me sende të forta që parapriu vrasjen e 66-vjeçarit. I ndaluari përdorte identitet të rremë, për qëndrim në ishullin e Korfuzit.
Policia shqiptare njoftoi sot se u arrestuan provizorisht, në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit në kërkim:
Lulzim Tabaku, 37 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim;
Idriz Çela, 40 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Nga hetimet dyshohet se më datë 7 maj 2026, 37-vjeçari ka vrarë me armë zjarri (pistoletë), shtetasin Rexhep Ismaili, 66 vjeç, në ambientet e lokalit të këtij të fundit, pas një konflikti me sende të forta, ndërmjet disa shtetasve, ndër ta, 40-vjeçari i kapur në Korfuz.
Policia thotë se po ashtu po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë rast.
Ndërkaq, në bashkëpunim me homologët grekë, Interpol Tirana po punon për finalizimin e procedurave për ekstradimin në Shqipëri, të 2 të ndaluarve.











