Thierry Henry ka reaguar ndaj kritikave për një shaka që bëri me Lamine Yamalin, pasi futbollisti i Barcelonës fitoi trofeun Kopa në ceremoninë e Topit të Artë.

Yamal fitoi trofeun Kopa, që i jepet futbollistit më të mirë të ri në botë, për të tretin vit radhazi në ceremoninë e mbajtur të hënën mbrëma në London Palladium. Ai ia dedikoi çmimin bashkëlojtarit të tij te Barcelona, Pau Cubarsit, duke thënë se trofeun duhej ta kishte fituar ky i fundit. Reagimi i tij e habiti dukshëm Henryn.


“Kam parë shumë njerëz duke folur për mbrëmjen e Topit të Artë, ndaj dua të sqaroj disa gjëra, sepse disa njerëz kanë bërë shumë zhurmë për diçka që në fakt nuk ishte asgjë”.

“Sa i përket Lamine Yamal, nuk po përpiqesha aspak t’ia ulja egon. Thjesht mendova se, duke qenë hera e tretë që e fiton atë trofe, duhej ta pyesja nëse ishte vërtet ai çmimi që dëshironte”.

“Jam një admirues i madh i Lamine Yamal. Nuk po përpiqesha në asnjë mënyrë t’ia prekja egon. E kuptoj nëse nuk ju pëlqeu shakaja, por ju lutem, mos e teproni. Ai është një nga lojtarët për të cilët do të paguaja për ta parë duke luajtur. E dua si futbollist”.

“Thjesht po e pyesja nëse ai ishte trofeu që dëshironte vërtet, sepse e dija që çmimi kryesor do të jepej më vonë. Fatkeqësisht, ai nuk e fitoi atë, edhe pse është një futbollist i jashtëzakonshëm, të cilin më pëlqen shumë ta shikoj”.

Henry foli edhe për një shaka tjetër që bëri me bashkëprezantuesen Kate Scott, kur e korrigjoi atë për shqiptimin e emrit të Socrates, legjendës braziliane, emrin e të cilit e mban një çmim humanitar i ndarë gjatë ceremonisë së Topit të Artë.

Francezi sqaroi se Scott ishte pjesë e shakasë dhe se këtë e kishte konfirmuar edhe vetë ajo, duke komentuar në postimin e tij se nuk kishte pasur asnjë mungesë respekti.

“Kate ishte pjesë e asaj shakaje. Mund ta pyesni edhe vetë. Ajo e shqiptoi emrin Socrates ashtu qëllimisht, ndërsa unë duhej ta shqiptoja ndryshe”, tha Henry./Telegrafi/