22-vjeçari Elvis Zirka ka mbetur i plagosur me armë zjarri mëngjesin e sotëm në Tiranë. Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se autori i dyshuar është 28-vjeçar Sokol Zeka, i cili është shpallur në kërkim.
“Tiranë/Informacione paraprake-Rreth orës orës 01:00, në rrugën “Medar Shtylla”, dyshohet se shtetasi S. Z.(T)., 28 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetasin E. Z., 22 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. 28-vjeçari është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Bëhet me dije se sherri mes viktimës Elvis Zirka dhe autorit të dyshuar Sokol Zeka ka qenë i hershëm. Konflikti dyshohet për shkak të një borxhi të pashlyer nga ana e autorit, 28-vjeçarit Zeka.
Ngjarja ka ndodhur në rrugë, ndërsa sipas deklarimeve që 22-vjeçari i plagosur ka dhënë për grupin hetimor, ka pohuar se me Sokol Zekën njihej kohë më parë dhe se i kishte dhënë borxh një shumë parashë, por pa deklaruar se sa ishte vlera apo se për çfarë i ishin dhënë.
Hetuesit dyshojnë se konfliktet e tyre mund të ketë nisur që jashtë territorit shqiptar, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


