Prokuroria Themelore në Ferizaj, përmes Departamentit të Përgjithshëm, ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj I.R., A.R. dhe B.R. Ata dyshohen për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Manipulimi me prova”, të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 07.10.2026, rreth orës 11:40, në rrugën “Hamit Rexhepi”, në lagjen “Vanesa Residence” në Ferizaj, të pandehurit dyshohet se vepruan së bashku dhe me dashje, me qëllim që të cenonin integritetin trupor të G.SH., E.H. dhe S.XH. Të tre të dëmtuarit janë pjesë e stafit gazetaresk të mediumit “Klan Kosova”.
Të lidhura
None found
Aktakuza pretendon se gazetarët sapo kishin hyrë me veturë në lagje, ku kishin shkuar për të realizuar një storie lidhur me një kontest pronësor, kur një veturë i kaloi dhe ua bllokoi rrugën, ndërsa një tjetër u pozicionua pas tyre. Të pandehurit dyshohet se dolën nga automjetet pa paralajmërim, hapën dyert e veturës së gazetarëve, u bërtitën e i ofenduan dhe më pas i goditën me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.
Si pasojë, gazetarët pësuan lëndime dhe morën tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Ekspertiza mjeko-ligjore e datës 16.10.2026 konstatoi se ata kishin pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin. Për këtë, të tre të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje kryen veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, sipas nenit 185, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafin 1.4 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën kohë dhe vend, i pandehuri I.R. dyshohet se ia mori kamerën E.H.-së, e cila ndodhej në veturë, dhe e përplasi përtokë, duke e dëmtuar dhe bërë të papërdorshme. Më pas, sipas aktakuzës, ai e dorëzoi kamerën në stacionin policor në Ferizaj. Dëmi i shkaktuar është me vlerë të papërcaktuar. I.R. akuzohet për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria pretendon gjithashtu se I.R., me synimin për të ndryshuar, larguar, fshehur, shkatërruar ose dëmtuar prova materiale, apo për ta bërë atë të papërdorshme dhe për të penguar ndriçimin e ngjarjes, pas kryerjes së veprës penale hoqi pajisjen “DVR” të kamerave të sigurisë. Kamerat mbikëqyrnin lagjen dhe përfshinin edhe vendin e incidentit, ndërsa pajisja ishte nën menaxhimin e tij. Për këtë veprim, ai akuzohet për “Manipulim me prova”, sipas nenit 389, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me ngritjen e aktakuzës, prokurori i shtetit i ka kërkuar gjykatës kompetente që t’i shpallë fajtorë të pandehurit dhe t’i dënojë, në përputhje me ligjin, për veprat penale që u atribuohen.






