Vendosni fjalën kyçe....

AGSH denoncon 41 raste sulmesh ndaj gazetarëve gjatë protestave



Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë (AGSH) ka denoncuar 41 raste të sulmeve të synuara ndaj gazetarëve dhe mediave gjatë protestave, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse nisjen e hetimeve për çdo incident të raportuar.

Përfaqësuesi i organizatës, Isa Myzyraj, deklaroi se rreth 60 punonjës të mediave janë përfshirë në incidente, ndërsa veçoi gjashtë raste që i cilësoi veçanërisht shqetësuese, ku gazetarët janë goditur me plumba gome nga policia.

Sipas Myzyrajt, këto shifra tregojnë kushtet e vështira në të cilat gazetarët po ushtrojnë profesionin e tyre. Ai theksoi se një pjesë e madhe e incidenteve është dokumentuar me pamje filmike, të cilat mund të shërbejnë si prova për zbardhjen e ngjarjeve.

“Na ka ndihmuar shumë fakti që shumica e rasteve janë të dokumentuara me pamje filmike”, u shpreh ai.

Myzyraj i bëri thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës të nisin hetimet për të gjitha rastet e raportuara nga AGSH. Ai kërkoi gjithashtu që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, të japë sqarime dhe të mbajë qëndrim lidhur me incidentet e denoncuara.

Përfaqësuesi i AGSH-së u kërkoi edhe partive politike, përfshirë partinë në pushtet, të dënojnë publikisht dhunën ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Sipas tij, edhe deputetët duhet të shprehin qartë kundërshtimin ndaj sulmeve që cenojnë punën e gazetarëve.

“SPAK dhe Prokuroria e Tiranës, jemi gati t’u vëmë në dispozicion fakte”, deklaroi Myzyraj, duke shtuar se institucionet kanë mekanizmat e nevojshëm për të nisur hetime kryesisht për rastet e dyshuara të tejkalimit të detyrës dhe ushtrimit të dhunës nga punonjësit e policisë.