Të paktën 10 persona kanë humbur jetën pas përplasjes së dy trenave të shpejtësisë së lartë në jug të Madridit, në Spanjë.
Aksidenti ndodhi pak pas orës 09:00, mes zonave Mora dhe Orgaz, në provincën e Toledos. Sipas informacioneve paraprake, në përplasje janë përfshirë një tren i kompanisë shtetërore Renfe dhe një tjetër i kompanisë Iryo. Të paktën dy vagonë kanë dalë nga shinat.
Të dy trenat po udhëtonin në linjën që lidh Madridin me Seviljen, në jug të vendit. Pas aksidentit, qarkullimi i trenave me shpejtësi të lartë në linjën që lidh kryeqytetin me rajonin e Andaluzisë është pezulluar.
Ekipet e emergjencës janë angazhuar në vendngjarje për të ndihmuar të plagosurit dhe për të përballuar pasojat e aksidentit.
Një zëdhënës i shërbimeve spanjolle të emergjencës i tha agjencisë AFP se në operacion janë përfshirë disa ekipe zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy njësi të lëvizshme të kujdesit intensiv.










