
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është transferuar në burgun e Fierit, sipas burimeve të Hashtag.al .
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të SPAK-ut.
Kujtojmë se kryebashkiaku i Tiranës reagoi për protestat studentore në Serbi, duke i cilësuar ato si shenjë të përfundimit të një rendi të vjetër dhe jo si një krizë të pakapërcyeshme.
“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’”, shkruan Veliaj, duke shtuar se sa më shpejt qytetarët dhe politikëbërësit ta kuptojnë këtë ndryshim, aq më mirë do të mund t’u përgjigjen nevojave dhe pritshmërive të brezit të ri.
Ndaj Veliajt janë ngritur 13 akuza, që përfshijnë korrupsion pasiv në nëntë raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Kryebashkiaku i ka mohuar akuzat, ndërsa Gjykata e Lartë la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” në shtator 2026.
Veliaj ka kundërshtuar mënyrën se si po realizohet transferimi, duke pretenduar se mungesa e transparencës nuk i mundëson ushtrimin efektiv të të drejtave të tij ligjore.
“Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”, deklaroi ai.
Në deklaratën e tij, kryebashkiaku u ka bërë thirrje publike Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit që të ndërhyjnë për të verifikuar arsyet dhe shkaqet e transferimit, të cilin e cilëson politik.