Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Spanjën mëngjesin e kësaj të mërkure, 28 tetor, pasi dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur në provincën e Toledos, në jug të Madridit.
Sipas informacioneve të para të konfirmuara nga autoritetet rajonale, të paktën 46 persona kanë humbur jetën, ndërsa raportohet për shumë të plagosur. Bilanci i viktimave mund të rëndohet në orët në vijim, teksa operacionet e shpëtimit vazhdojnë.
Ngjarja ndodhi pranë lokalitetit Urda, ku një tren i kompanisë Renfe u përplas me një tjetër tren të operatorit Iryo. Si pasojë e goditjes së fortë, dy vagonë dolën nga shinat dhe përfunduan në një skarpatë pranë linjës hekurudhore.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe forcat e emergjencës, të mbështetura edhe nga helikopterë sanitarë, për t’u ardhur në ndihmë pasagjerëve.
Autoriteti spanjoll i infrastrukturës hekurudhore, ADIF, njoftoi ndërprerjen e qarkullimit të trenave të shpejtësisë së lartë në linjën që lidh Madridin me Andaluzinë.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez shprehu tronditjen për ngjarjen dhe solidaritetin me familjarët e viktimave, duke theksuar se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse.
Ndërkohë, shkaqet e përplasjes mbeten ende të paqarta dhe pritet që hetimet të zbardhin rrethanat e plota të kësaj tragjedie.
