Rrëfimi i Matteo Darmian: Mendova tërheqjen nga futbolli, telefonata e Bolognas më befasoi…
Kina rishikon pozicionin e saj ndaj Kylian Mbappe. Futbollisti francez i Realit të Madridit kërkoi ndjesë në lidhje me një frazë që kishte thënë në lidhje me ish liderin kinez Mao Zedong duke e cilësuar si diktator dhe kjo solli reagime të ashpra në vendin e Lindjes së Largët, një ndjesë që është pranuar nga autoritetet në Kinë.
‘E marrim seriozisht ndjesën e bërë nga personi në fjalë-tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, gjatë një takimi rutinë me median në lidhje me çështjen diplomatike të krijuar nga kapiteni i kombëtares franceze. Por ndjesa e futbollistit, gjithsesi nuk mjaftoi për të shuar polemikat dhe në rrjetet sociale në Pekin, vijuan kritikat ndaj Mbappe që për batutën e tij humbi 3 kontrata me sponsorë kinezë, ndërkohë që televizioni shtetëror pezulloi transmetimin e ndeshjeve të Realit të Madridit.
Vetë klubi madrilen reagoi përmes një komunikate për shtyp duke kërkuar edhe ai ndjesë për fjalët e Mbappe.
‘Reali i Madridit kërkon t’i kërkojë ndjesë popullit kinez për shqetësimin që shkaktuan së fundmi deklaratat e futbollistit tonë Kylian Mbappe-theksohet në komunikatën e Realit të Madridit-klubi ynë ushqen një respekt të thellë për Kinën, historinë, kulturën dhe qytetarët e saj ashtu sikurse edhe për miliona tifozë kinezë që ndjejnë afeksion dhe admirim për Realin e Madridit. Klubi i bashkohet ndjesës publike të Mbappe, në të cilën futbollisti shfaqi pendesën për fjalët e tij dhe konfirmoi respektin ndaj popullit kinez. Reali i Madridit thekson edhe njëherë impenjimin e tij ndaj vlerave të respektit, bashkëjetesës dhe mirëkuptimin mes kulturave dhe shpreh dëshirën për të vijuar përforcimin e lidhjeve miqësore dhe afeksionit që e bashkojnë me Kinën dhe qytetarët e saj’.
Top Channel