Pas zgjedhjeve në Izrael dhe rezultateve të para të pjesshme të numërimit të votave, ka një garë të ngushtë për shumicën në parlament. Si Eisenkot ashtu edhe Netanyahu kanë njoftuar se duan të krijojnë qeverinë.
Në zgjedhjet parlamentare në Izrael, sipas të dhënave zyrtare pas numërimit të rreth gjysmës së votave, blloku konservator i krahut të djathtë i kryeministrit Benjamin Netanyahu kryeson përpara bllokut opozitar.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Izraelit, partia Likud e Netanyahut dhe aleatët e saj, pas numërimit të 52 përqind të votave, kanë siguruar 55 nga 120 ulëset në parlament. Ndërkohë, aleanca opozitare e udhëhequr nga Gadi Eisenkot ka fituar deri tani 49 mandate. Por rezutatet mund të ndryshojnë.
Nga ana tjetër, partitë që përfaqësojnë qytetarët arabë të Izraelit kanë arritur një rezultat dukshëm më të mirë nga sa parashikohej dhe, sipas rezultateve të deritanishme, kanë siguruar 16 ulëse. Ky rezultat mund t’i hapë teorikisht rrugën opozitës për formimin e qeverisë, nëse partitë e qytetarëve arabë përcaktohen për bashkëpunim me te.
Megjithatë, Eisenkot ende nuk ka bërë të ditur publikisht nëse do të bashkëpunonte me partitë që përfaqësojnë kryesisht popullsinë arabe.
Rezultatet e deritanishme mund të pësojnë ndryshime të konsiderueshme gjatë numërimit të votave të mbetura, por tendenca është që asnjëri bllok izraelit nuk do të ket shumicën e duhur për krijimin e qeverisë.
Të dy kampet synojnë formimin e qeverisë
Lideri i opozitës izraelite, Gadi Eisenkot, deklaroi se synon të formojë një qeveri të re. Duke iu drejtuar mbështetësve në Tel Aviv në orët e para të së mërkurës, ai tha se qytetarët izraelitë kanë votuar për “ndryshim” dhe se do të angazhohet për krijimin e një ekzekutivi të ri.
Sipas tij, koalicioni i Netanyahut ka humbur “besimin e popullit”. Ai gjithashtu e paralajmëroi kryeministrin aktual që të mos e përdorë “sigurinë e Izraelit për qëllime politike”.
Nga ana tjetër, Benjamin Netanyahu deklaroi se synon të krijojë një qeveri të fortë të krahut të djathtë. Duke iu drejtuar mbështetësve të tij, ai tha se Likud mbetet “partia më e madhe në Izrael” dhe se blloku i djathtë gëzon një shumicë të qartë mes popullsisë hebraike.
Netanyahu mbajti fjalimin e tij rreth orës 03:00 sipas kohës lokale. Ndryshe nga paraqitjet e mëparshme, ai u tregua më i përmbajtur dhe nuk e shpalli veten fitues të zgjedhjeve. Megjithatë, ai theksoi se Likud ka shumë gjasa të mbetet forca më e madhe politike në parlament. Gjithashtu, ai u shpreh kundër çdo qeverie që do të varej nga mbështetja e partive arabe në Izrael.
Pjesëmarrja më e lartë në mbi dy dekada
Deri në mbylljen e qendrave të votimit në orën 21:00, pjesëmarrja në zgjedhje kishte arritur në 77.7 përqind, niveli më i lartë në më shumë se 20 vjet. Në total, votuan 5.695.682 qytetarë.
Parashikimet fillestare bazohen në sondazhet e realizuara me votuesit menjëherë pas daljes nga qendrat e votimit. Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen në ditët në vijim dhe mund të dallojnë nga vlerësimet paraprake.
