Policia serbe vrau një sulmues jashtë ambasadës izraelite në Beograd të mërkurën, pasi një oficer u vu në shënjestër në një "sulm terrorist", njoftoi ministri në largim i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç. "Një i mitur, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar... sulmoi një pjesëtar të policisë me dy thika, duke thirrur 'Allahu Akbar'", tha Daçiç, i cili gjithashtu e ngriti nivelin e kërcënimit terrorist në shkallën më të lartë. Ministria e Punëve të Brendshme deklaroi se oficeri e vrau sulmuesin në vetëmbrojtje, por gjatë incidentit, i cili ndodhi pak pas mesnatës së të mërkurës, ai pësoi një plagë të lehtë me thikë në fytyrë. Daçiç tha se shërbimet e sigurisë e kishin monitoruar sulmuesin, i cili "njihej si mbështetës i Shtetit Islamik" dhe besohej se ishte nga qyteti perëndimor i Shabacit. "Në profilin e tij në Instagram kishte një flamur të zi dhe emblemën e Shtetit Islamik", shtoi ai. Daçiç njoftoi se niveli i kërcënimit terrorist është ngritur në shkallën më të lartë, ose "alarmi i kuq". "Kjo nënkupton kontrolle më të rrepta sigurie dhe një prani të shtuar të policisë në vende të ndjeshme, përfshirë objektet e infrastrukturës dhe vendet ku mblidhen turma të mëdha njerëzish", tha ai. Megjithëse sulme të tilla janë të rralla në Serbi, ambasada izraelite në Beograd është vënë në shënjestër edhe më parë. Në qershor të vitit 2024, një sulmues i armatosur me një hark (arbaletë) plagosi rëndë një oficer policie që ruante ambasadën, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia. Sulmuesi u identifikua asokohe si një 25-vjeçar nga një fshat pranë Beogradit, i cili ishte konvertuar në fenë islame dhe më vonë kishte përqafuar pikëpamje ekstremiste.