Gjenden mbetje mortore në veri, dyshohet se mund t’u përkasin viktimave të luftës në Kosovë

Mbetje mortore janë gjetur më 27 tetor në varrezat e qytetit të Mitrovicës së Veriut, ndërsa dyshohet se mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha për Radion Evropa e Lirë se gërmimet në një vendndodhje brenda varrezave të besimtarëve myslimanë janë vijim i punimeve të kryera më 20 tetor të këtij viti.
Sipas tij, mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme, përfshirë analizat e ADN-së, me qëllim përcaktimin e identitetit të tyre.
Limani bëri të ditur se, në varësi të rezultateve të ekzaminimeve mjekoligjore, vendndodhja mund të mbetet në fokus të verifikimeve dhe ndërhyrjeve të mëtejshme, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Gjetja e mbetjeve mortore në Mitrovicën e Veriut vjen pas zbulimit të tri varrezave masive në Zubin Potok, po në veri të Kosovës, ku u gjetën mbetjet mortore të të paktën 23 personave.
Autoritetet kanë identifikuar tashmë tri viktimat e para, të cilat i përkasin të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”. Ky grup përbëhej nga 23 shqiptarë, mes tyre veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën në Zubin Potok më 19 prill 1999.
Në lidhje me vrasjen e civilëve të dyshuar si pjesë e kësaj ngjarjeje, autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa persona.
Sipas Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa në total janë dokumentuar 12.230 viktima të luftës.




