“Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Revolucion” janë disa nga thirrjet që studentët po përsërisin gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Të rinjtë kanë mbushur rrugën e Durrësit, duke vijuar tubimin në kuadër të lëvizjes studentore që prej më shumë se dy javësh kundërshton qeverinë dhe kërkon ndryshime.
Me thirrjet “Studentët kërkojnë revolucion”, protestuesit po këmbëngulin në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit janë dëgjuar ovacione dhe duartrokitje, ndërsa studentët kanë brohoritur njëzëri sloganet e tyre.
Studentët vijojnë bojkotin e mësimit, në pritje të një përgjigjeje për kërkesat e tyre. Në mbështetje të protestës janë bashkuar edhe pedagogë.
