Zgjerohet dosja Balluku, Viola Haxhiademi pjesë e listës së të pandehurve
Dosja hetimore që lidhet me Belinda Ballukun po përfshin emra të tjerë. Viola Haxhiademi i është shtuar listës së personave të pandehur në këtë çështje, ku nën hetim janë edhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat, në kuadër të kësaj dosjeje janë përmendur gjithashtu Gentian Gjyli, Erald Elezi, Pandeli Carapuli dhe Igli Tare.
Në qendër të hetimeve janë dyshimet për shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit publik. Prokuroria e Posaçme po verifikon rrethanat e tenderave, për të cilët ekzistojnë dyshime se fituesit mund të jenë paracaktuar, duke cenuar parimin e barazisë mes operatorëve ekonomikë.
Paralelisht me hetimet për procedurat e prokurimit, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi të dyja masat e sekuestros që lidhen me vilat e Belinda Ballukut.
Ndërkohë, organi i akuzës vijon marrjen në pyetje të personave të dyshuar për përfshirje në procedurat e tenderimit. Hetimet synojnë të sqarojnë mënyrën se si janë zhvilluar këto procedura dhe nëse janë kryer shkelje në përzgjedhjen e kompanive fituese.
Përgjegjësia penale e personave të përfshirë në dosje do të përcaktohet nga organet e drejtësisë, në përfundim të procedurave ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



