Konfindustria Albania kundër Paketës Fiskale 2027: Qeveria tërhiqet nga premtimi, kërkohet anulimi i rritjes së taksave
Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri kundërshton rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% dhe të TVSH-së standarde nga 20% në 21%. “Qeveria të mbajë besën”, kërkon Confindustria, duke paralajmëruar për ndikimin e masave te investimet, punësimi dhe pagat.
Confindustria Albania ka dalë kundër propozimeve për rritjen e taksave në Paketën Fiskale 2027, duke i kërkuar qeverisë të tërheqë ndryshimet e parashikuara në draft dhe të shpjegojë arsyet që e kanë çuar drejt këtij vendimi.
Në një komunikatë për shtyp, Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri vë në pikëpyetje përmbushjen e zotimit të mëparshëm të qeverisë për të mos ndryshuar normën 15% të tatimit mbi fitimin për biznesin e madh gjatë mandatit qeverisës.
Sipas propozimeve të Paketës Fiskale 2027, tatimi mbi fitimin parashikohet të rritet në 17%, tatimi mbi dividendin nga 8% në 15%, ndërsa TVSH-ja standarde nga 20% në 21%.
“Qeveria duhet të shpjegojë pse po tërhiqet nga fjala e dhënë”, thekson Confindustria Albania, duke kërkuar transparencë mbi nevojën për këto ndryshime dhe alternativat që janë shqyrtuar përpara se barra financiare t’u kalojë sërish bizneseve dhe qytetarëve.
Confindustria: Të ardhurat tejkalojnë shpenzimet me 70.3 miliardë lekë
Shoqata i referohet të dhënave të Ministrisë së Financave për periudhën janar-shtator 2026, sipas të cilave të ardhurat buxhetore kanë tejkaluar shpenzimet me rreth 70.3 miliardë lekë. Ndërkohë, investimet publike janë realizuar në masën 75.2% të planit për këtë periudhë.
Confindustria sqaron se ky suficit nuk përfaqëson rezultatin përfundimtar të vitit dhe nuk provon se të gjitha fondet janë të lira për t’u përdorur. Megjithatë, sipas saj, shifrat kërkojnë një shpjegim të qartë nga qeveria se përse nevojitet rritja e përhershme e barrës fiskale, ndërkohë që një pjesë e investimeve dhe shpenzimeve të planifikuara nuk është realizuar.
“Përpara se të kërkojë më shumë para, shteti duhet të japë llogari për administrimin dhe përdorimin e atyre që mbledh”, thuhet në komunikatë.
Barra e kombinuar tatimore mund të arrijë në 29.45%
Një nga shqetësimet kryesore të shoqatës lidhet me ndikimin që ndryshimet e propozuara mund të kenë te kapitali dhe vendimet për investime.
Sipas përllogaritjeve të Confindustria Albania, për një kompani që tatohet me normën standarde dhe shpërndan të gjithë fitimin e mbetur pas tatimit, barra e kombinuar e tatimit mbi fitimin dhe dividendin do të rritej nga 21.8% në 29.45%.
Kjo do të thotë se, për çdo 100 lekë fitim para tatimit, shteti do të përfitonte 7.65 lekë më shumë, duke shënuar një rritje prej rreth 35% të barrës së kombinuar tatimore, sipas shoqatës.
Confindustria paralajmëron se një ndryshim i tillë mund të ndikojë në kthimin neto nga kapitali dhe të çojë në shtyrjen, zvogëlimin ose zhvendosjen e disa investimeve drejt tregjeve të tjera.
Pasojat, sipas saj, mund të shfaqen në projekte që nuk realizohen, vende pune që nuk krijohen dhe mundësi më të kufizuara për rritjen e pagave.
Shqetësime edhe për rritjen e TVSH-së
Kundërshtimet e shoqatës përfshijnë edhe rritjen e propozuar të TVSH-së standarde nga 20% në 21%, për të cilën kërkohet një vlerësim i plotë i ndikimit mbi konsumin dhe çmimet.
Confindustria vlerëson se ulja e TVSH-së për ushqimet bazë mund të ndihmojë familjet, nëse kjo reflektohet në çmimet përfundimtare. Megjithatë, sipas saj, qytetarët duhet të informohen për efektin neto që e gjithë paketa fiskale do të ketë mbi shpenzimet e tyre.
Shoqata thekson se nuk kundërshton nevojën për financimin e shërbimeve publike, por kërkon të dhëna mbi rezultatet e luftës kundër evazionit fiskal, alternativat për zgjerimin e bazës tatimore dhe efikasitetin e shpenzimeve publike.
Sipas Confindustria Albania, bizneset që deklarojnë dhe paguajnë rregullisht detyrimet nuk duhet të mbeten zgjidhja automatike për çdo nevojë të re të buxhetit.
Në përfundim, shoqata kërkon tërheqjen e rritjeve të propozuara, publikimin e një analize të ndikimit të kombinuar të masave dhe zhvillimin e një konsultimi real me biznesin, me mundësi konkrete për të ndikuar në vendimmarrje.
“Qeveria të mbajë besën”, përfundon komunikata, duke theksuar se, ashtu siç sipërmarrjes i kërkohet të respektojë kontratat dhe detyrimet e saj, edhe qeveria duhet të përmbushë angazhimet mbi të cilat bizneset kanë mbështetur vendimet për të investuar në Shqipëri.
Prodhuesit shqiptarë kundërshtojnë paketën fiskale 2027: Rritja e taksave rrezikon investimet dhe konkurrueshmërinë
Këmbimi valutor 23 tetor/ Me sa blihen e shiten monedhat kryesore
Sejko: Depozitat bankare janë të sigurta, sistemi financiar vijon normalisht pavarësisht tensioneve
- 12:10 Euronews Albania siguron vendimin e Gjykatës Supreme të Brazilit për ekstradimin e Ervin Matës
- 12:00 BE-ja qeverisë së re të Serbisë: Zbatoni Marrëveshjen e Ohrit, obligimet në dialogun me Kosovën nuk ndryshojnë
- 11:57 Erion Veliaj transferohet nga burgu i Durrësit në IEVP Fier, vendimi jo me kërkesë të tij
- 11:56 Dirk Kuyt emërohet trajner i përkohshëm i Fenerbahçes! Ndeshjen e parë do ta ketë kundër ish-klubit të tij, Liverpoolit
- 11:45 Aksidenti i rëndë hekurudhor me 39 viktima në Spanjë, Sanchez: I tronditur nga tragjedia, në mbështetje të të prekurve
- 11:42 “Askush nuk na dëgjoi”, pse Gjenerata Z po udhëheq protestat në të gjithë Evropën