Nga Elbasani, ku mori pjesë në tryezën e diskutimit “Demokracia Vendore: Sa afër janë bashkitë me qytetarët?”, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, kërkoi hapjen e kanaleve të komunikimit mes qeverisë dhe protestuesve. Ai tha se gjatë javëve dhe muajve të fundit ka vërejtur mungesë dialogu, duke theksuar se qytetarët nuk janë degjuar nga qeveria.

“Çfarë unë kam parë gjatë këtyre javëve të fundit, ose muajve të fundit, është një mungesë e dialogut. Njerëzit kanë përshtypje që zëri i tyre nuk dëgjohet, që zëri, mendimi i tyre nuk është marrë në vëmendje. Dhe çdo rast ku ka mundësi për të organizuar dialogun, për të organizuar konsultimet, duhet të mbështetet dhe për këtë arsye erdha sot. Ekzistojnë kanale të ndryshme dialogu”, tha ambasadori.

Tarran theksoi rëndësinë e përfshirjes së vazhdueshme të të rinjve në debatin publik, duke nënvizuar se demokracia nuk kufizohet vetëm te votimet.

“Dhe rëndësia është që qytetarët dhe sidomos të rinjtë të kuptojnë që kanë një mundësi për t’u marrë pjesë në debatin publik. Që demokracia nuk është vetëm një herë në katër vjet të shkosh, të marrësh pjesë në zgjedhje. Që demokracia është një punë e përditshme, është një mundësi që hapet për të gjithë që ata që kanë dëshirë për t’u marrë pjesë në jetën publike, në vendimet e ndryshme ku mendimi i tyre dhe i njerëzve është i rëndësishëm. Dhe më pëlqeu emri i kësaj aktiviteti, “thuaje”, tamam, “thuaje” tamam, vij këtu dhe thuaje, çfarë mendon për çështje të ndryshme që do të diskutohen gjatë këtyre ditëve 55 panele të ndryshme që do të organizohen. Gjithë kanalet duhet të përdoren dhe kanale të reja duhen të përdoren për dialog”, tha Tarran.

Ambasadori i OSBE komentoi dhe ngjarjet e dhunshme në protestat e dy javëve të fundit në Tiranë

“Dhuna në përgjithesi nuk mund të jetë pjesë e një jete demokratike dhe as e një shteti demokratik siç është Shqipëria. Na vjen jashtëzakonisht shumë keq që ka pasur shumë incidente dhune në Tiranë, gjatë javëve te fundit”, u shpreh ai.

Tarran theksoi rëndësinë e përdorimit të të gjitha kanaleve ekzistuese dhe krijimit të mundësive të reja për dialog, me qëllim përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.