Kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, raportoi para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione.
Gjatë mbledhjes, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, kërkoi nga Gusia rekomandime dhe një analizë për rastin e Arlinda Zekajt. Ajo tha se raporti do të ndihmonte në përcaktimin e hallkave institucionale ku ka pasur mangësi dhe të masave për të parandaluar raste të ngjashme, pas vrasjes së Zekajt të dielën në mbrëmje.
Të lidhura
None found
“Do të doja të na tregoni cilat janë rekomandimet tuaja dhe nëse keni ndonjë raport apo analizë se ku ka dështuar ligji për mbrojtjen e grave nga dhuna në rastin e Arlinda Zekajt, sidomos në rastin e Pejës, që të shohim realisht se në cilin zinxhir ka dështuar sistemi,” u shpreh Jashari.
Gusia vlerësoi se në rastin e Zekajt mund të ketë pasur mangësi në vlerësimin e rrezikut. Duke iu referuar të dhënave të publikuara në media, ajo tha se nuk ishin marrë parasysh kërcënimet e mundshme nga pjesëtarë të tjerë të familjes së ish-bashkëshortit.
“Ne mendojmë që atë ditë nuk është bërë si duhet vlerësimi i rrezikut në momentin kur gruaja është kthyer në shtëpi, me të cilën ka qenë kunati i saj me 11 vepra penale. Për më tepër, që ai nuk ka jetuar në bashkësinë familjare. Do të thotë, ai është sjellë pikërisht në shtëpi për t’i bërë presion gruas që të mos qëndrojë në shtëpinë e saj. Do të thotë, po e them, pa qasje me dokumente zyrtare, çka kemi parë në media, ky është dështimi i parë. Sepse kur bëhet vlerësimi i rrezikut, kur të shihet urdhri mbrojtës apo kur ta kërkon, policia nga prokuroria që ta adresojë çështjen e urdhrave mbrojtës te gjykatat, bëhet vlerësimi i rrezikut, nëse gruaja, viktima rrezikohet edhe nga anëtarët e tjerë të familjes. Do të thotë, në këtë rast është dashur me pasur një urdhër mbrojtës edhe ndaj kunatit që mos me guxu as kunati me qëndruar në shtëpi, por besa edhe vjehrra”, u shpreh ajo.
Ajo sqaroi se Agjencia për Barazi Gjinore nuk ka kompetencë ligjore të trajtojë raste të dhunës në familje apo diskriminimit. Sipas saj, përgjegjësitë e institucioneve për çështjet e barazisë gjinore janë të përcaktuara në legjislacion.
“Unë do të ndajë këtu me ju, për atë sot ju keni nevojë të merrni opinionin e agjencisë në lidhje me këtë çështje, edhe pse ne duhet ta sqarojmë, Agjencia për Barazi Gjinore, në bazë të Ligjit për Barazi Gjinore, nuk ka mandat t’i trajtojë rastet, qoftë të dhunës në familje apo rastet e diskriminimit. Domethënë, korniza ligjore e Republikës së Kosovës i ka mandatet shumë të qarta sa i përket barazisë gjinore. Është komisioni në Kuvend, është agjencia si agjenci ekzekutive, politikë-hartuese dhe monitoruese, dhe është institucioni i Avokatit të Popullit, i cili merret me trajtimin e rasteve të diskriminimit bazuar në gjini në përgjithësi. Do të thotë, kompetencat janë shumë të ndara, janë të ndara mirë”, ka thënë ajo.
Sa i përket strehimoreve për viktimat e dhunës, Gusia njoftoi se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ndarë 1.5 milion euro për dhjetë qendra në Kosovë.
Ajo shtoi se komunat duhet të kontribuojnë në financimin e strehimoreve, megjithëse jo të gjitha e përmbushin këtë detyrim.
“Në anën tjetër, strehimoret kanë një financim të qëndrueshëm. Do të thotë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka disbursuar 1.5 milion euro për dhjetë strehimoret e Republikës së Kosovës, njëra nga të cilat është strehimore për trafikim me qenie njerëzore, të cilën e udhëheq Qeveria, ndërsa nëntë të tjerat janë organizata të shoqërisë civile. Po, në anën tjetër, komunat kanë përgjegjësi që të financojnë. Normalisht, është e pamundur që 38 komunat të kenë secila nga një strehimore, sepse nuk ka mjete buxhetore, mirëpo komunat kanë për obligim t’i financojnë strehimoret në të cilat, domethënë, strehohen viktimat e rajonit. A e bëjnë të gjitha komunat këtë? Jo. Dikush financon, dikush nuk financon, por kjo është përtej kompetencave tona. Kjo është një pyetje që ndoshta është dashur të zgjidhet nëpërmjet Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të shihet cilat janë ato komuna të cilat nuk i financojnë strehimoret”, ka thënë ajo. /KP/




