Artisti dhe karikaturisti i njohur islandez, Hugleikur Dagsson, i ka sjellë përmes vizatimit temat e diskutuara në Forumin e Zërave Publikë në Budva, duke krijuar drejtpërdrejt një karikaturë politike mbi dezinformimin dhe mënyrën se si informacioni mbërrin te qytetarët.

Duke folur për Telegrafin, Dagsson ka shpjeguar se puna e tij ndërthurte përgatitjen paraprake me dëgjimin e diskutimeve gjatë forumit.


“Roli im sot ishte që, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, të ilustroja me penën time atë për të cilën po flisnim. Dëgjova diskutimet, u njoha paraprakisht me temat që do të trajtoheshin dhe krijova ilustrimin tim”, ka thënë ai.

Përmes një historie të treguar me vizatime, Dagsson ka trajtuar luftën, gjenocidin, robotët me inteligjencë artificiale dhe politikën e urrejtjes. Në qendër të karikaturës është rrugëtimi i këtyre temave përmes mediave deri te publiku dhe mundësia që informacioni të ngatërrohet gjatë këtij procesi.

“Këto tema supozohet të përcillen te njerëzit përmes mediave. Por disa do të thoshin se informacioni ngatërrohet gjatë rrugës dhe, kur mbërrin te publiku, njerëzit mund të ndërrojnë kanalin, të shikojnë diçka tjetër ose mund të mos i marrin fare lajmet”, është shprehur Dagsson.

Megjithatë, ai ka theksuar se vepra nuk ka vetëm një kuptim të përcaktuar.

“Në të vërtetë, është e hapur për interpretim”, ka thënë ai.

- YouTube www.youtube.com

Për Dagssonin, trajtimi i ngjarjeve të rënda përmes karikaturës është edhe një mënyrë personale për t’u përballur me atë që ndodh në botë.

“Bëj shumë karikatura për gjërat e tmerrshme që ndodhin në botë. Kjo është mënyra ime për t’u përballur me to”, ka deklaruar ai.


Artisti islandez ka shpjeguar se vizatimi i jep mundësi të reagojë edhe kur ndihet i pafuqishëm përballë zhvillimeve që e shqetësojnë.

“Sa herë që ndihem i pafuqishëm përballë diçkaje që nuk më pëlqen në botën e sotme, e vizatoj. Kjo më jep të paktën njëfarë fuqie përballë saj”, ka thënë Dagsson. /Telegrafi/