Studentët protestues këtë të mërkurë kanë ndryshuar strategjinë në ditën e 16-të të revoltës, pasi janë futur në ambientet universitare, duke u bërë thirrje edhe studentëve të tjerë që t’i bashkohen kauzës së tyre.
Me thirrjen “Bashkohuni me ne!”, protestuesit kanë hyrë në Fakultetin e Ekonomisë, ku u kanë bërë apel studentëve të lënë auditorët dhe t’i bashkohen protestës. Lëvizja vjen në kuadër të marshimit nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera.
Në shumicën e klasave ata nuk kanë gjetur studentë, ndërsa aty ku kanë takuar i kanë marrë me vete në marshimin e tyre.
“Studentët janë të lirë edhe kur zgjedhin të bojkotojnë dhe kur zgjedhin të bëjnë mësim. Kam parë që vijnë studentë për mësim dhe normalisht do të bëhet mësim dhe ka të tjerë që nuk vijnë në mësim. Ne respektojmë çdo student që vjen në auditorë. Unë vetë kisha studentë dhe bëra mësim sot, rreth 20 studentë”, tha Mirdaim Axhami, përgjegjës i Departamenti i Marketing-Turizmit.
