Arrestimi i juristit në Fier/ Si u tjetërsuan gjashtë prona në Levan, dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe përfitim 715 mijë eurosh
Prokuroria e Beratit ka kërkuar në total 21 vite burg për dy shtetasit me inicialet R.L. dhe E.V., të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni.
Në përfundim të hetimeve për procedimin penal të vitit 2025, organi i akuzës kërkon 12 vite burg për R.L. dhe 9 vite për E.V.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se dy të pandehurit kanë shfrytëzuar për prostitucion shtetasen Y.Sh., duke organizuar aktivitetin e saj dhe duke përfituar financiarisht nga të ardhurat e siguruara.
Nga deklarimet e viktimës ka rezultuar se ajo ushtronte prostitucion në zonën e Urës Vajgurore, në Berat. Bashkëjetuesi i saj, R.L., kishte dijeni për këtë aktivitet dhe, sipas hetimeve, merrte paratë që ajo fitonte kur kthehej në banesën ku jetonin së bashku. Ndërkohë, klientët dyshohet se siguroheshin nga E.V., i cili kishte në pronësi një klub ku shtetasja punonte e kamufluar si valltare.
Sipas organit të akuzës, të ardhurat nga prostitucioni ndaheshin përgjysmë mes R.L. dhe mikut të tij, E.V. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se dy të pandehurit dyshohet se kanë tentuar ta dërgonin shtetasen në Greqi për ta shfrytëzuar atje, duke kërkuar në këmbim nga 500 euro në muaj secili.
Gjatë hetimeve, R.L. ka pranuar se e kishte shtyrë bashkëjetuesen e tij të ofronte shërbime seksuale për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Ai ka deklaruar gjithashtu se, në disa raste, e kishte ndihmuar për të gjetur klientë që paguanin për marrëdhënie seksuale.
Prokuroria vlerëson se R.L. ka pasur rol organizues në këtë veprimtari, duke siguruar klientët, përcaktuar vendet ku do të ushtrohej prostitucioni dhe çmimet që do të paguanin klientët, si dhe duke përfituar materialisht nga të ardhurat.
Ndërsa E.V. dyshohet se ka luajtur rolin e ndihmësit, duke e marrë shtetasen Y.Sh. në ambientet e klubit të tij, në marrëveshje me bashkëjetuesin e saj, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion dhe përfitimin financiar.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat kërkon dënimin me 12 vite burg për R.L. dhe 9 vite burg për E.V., për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, të parashikuar nga neni 114/2 i Kodit Penal.
Top Channel