
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka denoncuar presion të pretenduar nga drejtuesit e komisariateve ndaj inspektorëve të policisë së zonave, me qëllim identifikimin e të rinjve që marrin pjesë në protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Përmes një deklarate, Muçollari tha se denoncimi i ka ardhur nga një punonjës i Policisë së Shtetit, i cili shërben si polic zone. Sipas tij, inspektorët në Tiranë po përballen me presion nga eprorët, të cilët pretendohet se u kërkojnë të identifikojnë të rinjtë që protestojnë kundër korrupsionit dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Përfaqësuesi i PD-së ngriti gjithashtu shqetësimin se qytetarë po telefonohen dhe thirren në polici për shkak të pjesëmarrjes në protesta. Ai vuri në pikëpyetje bazën ligjore të këtyre veprimeve dhe kërkoi të sqarohet se kush i ka dhënë urdhrat për identifikimin e protestuesve.
“Policët e zonave nuk janë instrumente të pushtetit politik. Detyra e tyre është të mbrojnë qytetarët, të garantojnë rendin dhe të parandalojnë krimin, jo të përdoren për të ushtruar presion mbi njerëzit që protestojnë”, deklaroi Muçollari.
Ai kërkoi që denoncimet të hetohen dhe që çdo urdhër i paligjshëm të marrë përgjigjen përkatëse. Sipas tij, pjesëmarrja në një protestë paqësore është një e drejtë kushtetuese dhe nuk duhet të shndërrohet në shkak për frikësim apo presion ndaj qytetarëve.
Në përfundim, Muçollari deklaroi se pakënaqësia e protestuesve nuk mund të shuhet përmes identifikimit dhe thirrjes së tyre në komisariate, duke përsëritur kërkesën politike të protestës për largimin e Edi Ramës.