Gazetari Esido Barkaj ka reaguar ashpër ndaj sulmeve dhe kërcënimeve që, sipas tij, gazetarët po përballen gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka denoncuar sjelljen e disa protestuesve, të cilët i akuzon se fyejnë dhe provokojnë përfaqësuesit e medias, për të ndezur më pas kamerat dhe për t’u paraqitur si viktima.
“Kjo video tregon vetëm gjysmën e së vërtetës. Pjesa tjetër është ajo që nuk duan ta shohë askush”, shkruan Barkaj, duke iu referuar një incidenti me një protestuese.
Sipas gazetarit, vajza në fjalë kishte fyer fillimisht kolegen e tij, Sara A. Demushi, dhe më pas edhe atë vetë, pasi kishte ndërhyrë në mbrojtje të saj.
“Ne nuk e kemi detyrë të marrim leje nga protestuesit për të bërë gazetari, për të folur apo qeshur me efektivë të policisë. As nuk do të pranojmë që dikush të na diktojë se me kë duhet të flasim, çfarë duhet të raportojmë dhe si duhet ta kryejmë punën tonë”, thekson ai.
Barkaj denoncon gjithashtu një sërë incidentesh të tjera gjatë protestave, duke përmendur goditjen e gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, si dhe sulmet me gurë ndaj gazetarëve Sokol Dema të Report TV dhe Besar Bajraktaraj të Klan News.
Ai paralajmëron se, nëse sulmet ndaj gazetarëve vazhdojnë pa reagim, duhet të diskutohet seriozisht edhe mundësia e një bojkoti të koordinuar të mediave ndaj raportimit të protestave.
“E drejta për të protestuar nuk është e drejtë për të dhunuar. Zemërimi nuk është justifikim për fyerjen. Dhe protesta nuk mund të shndërrohet në një hapësirë ku gazetarët të trajtohen si shënjestër”, shprehet Barkaj.
Në përfundim, gazetari përcjell një mesazh të prerë për ata që përpiqen të intimidojnë median:
“Nuk do të heshtim për të shmangur zemërimin e askujt. Nuk do të ulim mikrofonin për t’i bërë qejfin askujt. Dhe nuk do të pranojmë që frikësimi të bëhet mënyrë për të kontrolluar median.”


