Mes rritjeve të kostove të jetesës dhe nevojës për më shumë shpenzime sociale qeveria programoi sërish një fond prej 201 miliardë lekësh (2,2 miliardë eurosh) për investime kapitale në vitin 2027 sipas të dhënave paraprake të projektbuxhetit.
Ky është zëri buxhetor me rritje më të lartë në fushën e shpenzimeve me rreth 14.4 për qind në raport me buxhetin e rishikuar të 2026. Por, ndërsa fondet për investime shtohen çdo vit, realizimi i tyre po përkeqësohet me të njëjtat ritme. Në nëntë muajt e vitit 2026 është shpenzuar vetëm 35.6% e fondit vjetor, duke lënë rreth 1.2 miliardë euro për t’u shpenzuar në tre muajt e fundit.
Sipas projekt buxhetit shpenzimet kapitale për vitin e ardhshëm parashikohen 260 milionë euro me shumë se buxheti i planifikuar i këtij viti dhe 53% më shumë se në vitin 2025 investimet publike do të zënë 6.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe rreth një të pestën e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.
Nga fondi total, 134.8 miliardë lekë do të financohen nga burimet e brendshme dhe 62.5 miliardë lekë nga financimi i huaj. Vetëm nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian parashikohen 14.1 miliardë lekë për investime kapitale. Por shifrat gjithnjë e më të larta të planifikimit janë në kontrast me kapacitetin e institucioneve për t’i shpenzuar këto fonde në kohë dhe për t’i kthyer në projekte të përfunduara.
Të dhënat e Ministrisë së Financave për nëntëmujorin 2026 tregojnë se investimet kapitale arritën në vetëm 62.7 miliardë lekë, ose 35.6% të planit vjetor prej 176 miliardë lekësh. Kjo ecuri nxjerr në pah një problem të përsëritur të financave publike, teksa çdo vit planifikohen fonde të konsiderueshme për investime, por pjesa kryesore e tyre shtyhet drejt fundit të viti.
Shpenzimet kapitale arritën në 62.8 miliardë lekë gjatë nëntëmujorit, nga rreth 83.5 miliardë lekë që ishte plani, duke u realizuar në masën 75.2%. Ndërsa shpenzimet korente janë realizuar në masën 95.7% të planit, për investimet publike ka mbetur pa u përdorur pothuajse një e katërta e fondeve të programuara.
Përvoja e viteve të mëparshme ka treguar se mbi 40% e buxhetit të investimeve shpesh alokohet në dhjetor, duke krijuar një përqendrim të madh të pagesave në një periudhë shumë të shkurtër, duke vënë në pikëpyetje eficensen e përdorimin të tyre, teksa produktet që duhet të ishin realizuar me këto fonde mungojnë.
Zëri i investimeve publike ka marrë sistematikisht vitet një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve buxhetore, por në vitin 2027 ai do të arrijë kulmin. Vitin që vjen investimet zënë 20.6 për qind të shpenzimeve buxhetore nga 15.8 për qind që ishin në vitin 2025.
Por teksa ky zë vjen në rritjen, anën tjetër vendi ka mungesa akutë ne infrastrukturë. Banka Botërorë në një raport global për furnizimin me ujë vuri në dukje si një rast të veçante Shqipërinë, ku financimet buxhetore në sektorin e ujësjellësve ishin të larta dhe në anën tjetër qytetarët vuajnë mungesa akute të furnizimit me ujë dhe ujërat e zeza nuk përpunohen.
Të dhënat zyrtare të krahasueshme tregojnë se investimet kapitale në vendin tonë janë 1.2 deri në 1.6 pikë përqindjeje të PBB-së më të larta se në vendet e tjera të rajonit. Por ndërkohë, Shqipëria shpërndan për arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale një pjesë më të vogël të shpenzimeve publike./ Monitor














