Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur të pezullojë efektet e vendimit për bojkotin e avokatëve, të miratuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës së Avokatisë, deri në shqyrtimin e çështjes në themel.
Vendimi vjen pas kërkesës së Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, e cila kundërshtoi bojkotin e vendosur nga Dhoma e Avokatisë.
Përmes këtij vendimi, pezullohet përkohësisht bojkoti, duke i hapur rrugë vijimit të proceseve gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Avokatët kishin ndërprerë pjesëmarrjen në seanca në shenjë kundërshtie ndaj rregullores që ndalon mbajtjen e telefonave celularë brenda sallave të gjyqit.
Masa e pezullimit do të mbetet në fuqi deri në shqyrtimin e çështjes nga gjykata, ndërsa vendimi përfundimtar do të përcaktojë ligjshmërinë e bojkotit të avokatëve.













