
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar SPAK-un për zbatimin e standardeve të dyfishta në çështjen e Belinda Ballukut, duke kërkuar shpjegime për mosparaqitjen e një kërkese të re për autorizimin e Kuvendit për arrestimin e saj.
Në deklaratën e tij, Bardhi përmendi mbylljen e hetimeve, zbulimin e dy vilave që, sipas tij, ishin fshehur nga Balluku, si dhe pesë akuza të reja për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ai vuri në dukje se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, SPAK nuk ka kërkuar autorizimin për arrestimin e saj.
“Me pozicionimin kundër ligjit dhe pro interesit politik të dyshes më të korruptuar në vend, SPAK duhet t’u shpjegojë sot shqiptarëve pse ligji po zbatohet ndryshe për Belinda Ballukun. Pse në Shqipërinë e SPAK-ut të Edi Ramës, Belinda Balluku është më e barabartë se të tjerët?”, deklaroi Bardhi.
Ai kujtoi se, kur Balluku hetohej për shkelje të barazisë në tendera, SPAK kërkoi autorizimin për arrestimin e saj, duke argumentuar rrezikun e prishjes së provave dhe ndikimit te dëshmitarët.
“Sot, kur mbi të rëndojnë edhe katër akuza të tjera, përfshirë korrupsionin, SPAK hesht. Pse? Çfarë ka ndryshuar? Pse nuk u kërkua sërish autorizimi i Kuvendit?”, u shpreh Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkoi që prokuroria të sqarojë arsyet e këtij qëndrimi dhe të shpjegojë nëse Balluku po trajtohet me të njëjtat standarde si personat e tjerë të hetuar për korrupsion apo pastrim parash, ndaj të cilëve janë kërkuar masa arresti.
“SPAK u detyrohet shqiptarëve t’u thotë pse për Belinda Ballukun zbatoi një standard të ndryshëm nga të tjerët. Cili është pakti që ka bërë me Edi Ramën? Edhe sa ministra kërkon që të caktojë SPAK-u në qeverinë e Edi Ramës për të ndarë së bashku pushtetin e korruptuar?”, deklaroi ai.
Bardhi akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij se po cenojnë pavarësinë e drejtësisë. Sipas tij, mënyra se si trajtohen çështjet e zyrtarëve të lartë ka rëndësi edhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj europiane mbi drejtësinë selektive dhe pandëshkueshmërinë e pushtetit. Integrimi europian nuk është vetëm mbyllje kapitujsh negociatash. Është garancia se askush nuk qëndron mbi ligjin”, përfundoi Bardhi.
Pretendimet për kontroll politik të SPAK-ut dhe zbatim të standardeve të dyfishta janë akuza të ngritura nga përfaqësuesi i opozitës.