“Këta nuk kërkojnë të dëgjohen, por të imponohen”, Rama: Do kryej detyrën e kontratës që kam me shqiptarët, nuk i shkoj pas avazit të një turme të dhunshme

28/10/2026 13:36

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat e ditëve të fundit, duke akuzuar protestuesit se nuk kërkojnë dialog, por imponimin e kërkesave të tyre.

Rama deklaron se do të vijojë detyrën deri në përfundim të mandatit, duke theksuar se qytetarët e kanë votuar për të çuar vendin përpara dhe jo për t’iu nënshtruar, siç u shpreh ai, avazit të një turme të dhunshme.

Kryeministri foli edhe për ekonominë, duke përsëritur zotimin për dyfishimin e pensioneve dhe nevojën për të lehtësuar kostot e jetesës për familjet shqiptare.

“Një turmë që nuk kërkon të dëgjohet, por kërkon të mbështetet pa kushte, ku në fjalorin e vet bazik, në emër të rinisë, nuk ka asnjë fije respekti apo dialogu.

As tradita familjare shqiptare, as normat demokratike të bashkëjetesës nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë sulm të dhunshëm gjuhësor në emër të rinisë. Madje, me ndihmën e VIP-ave, po thyejnë automjete e po djegin banka.

Detyra më ka çuar në çdo skaj e skutë të vendit, por me pafundësinë e dritave e hijeve të realitetit tonë kam parë se sa ndryshe është Shqipëria që nuk përfaqësohet as nga kjo turmë, as nga kori i të dehurve nga kënaqësia e dhunës në ekranet televizive.

Të tërë këta thonë se duan kokën time mund të flasin, por unë në fakt jam pengesa mes tyre dhe asaj Shqipërie që i ka lënë pas njollat e vjetra.

Janë në të drejtën e tyre të kritikojnë, por unë jam dhe do të jem në krye të detyrës sime deri në fund të kontratës sime me qytetarët. Më kanë votuar për të ecur përpara dhe jo për t’i ardhur pas avazit të një turme të dhunshme.

Të gjithë ju që s’keni lidhje me këtë dhunë, por edhe gjithë ju që keni treguar mbështetjen në këto ditë të zeza.

E thashë kur mora mandatin e katërt që çdo vit dua që shqiptarët të marrin më shumë nga rritja ekonomike. Sepse ekonomia na e ka dhënë mundësinë, jemi zotuar se pensionet do të dyfishohen. Jam i vetëdijshëm për rritjen e kostos së jetesës, e cila duhet me çdo kusht të ekuilibrohet. Vetëm tre ditë më parë, ju bëra me dije masat për lehtësimin e familjeve të zakonshme”, u shpreh Rama.

 

Top Channel