Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj protestuesve që kërkojnë largimin e tij nga detyra, duke deklaruar se ata nuk kanë të drejtë të flasin në emër të popullit, pasi, sipas tij, vullneti i qytetarëve shprehet përmes votës.
Rama e cilësoi protestën si një “mishmash”, ndërsa kritikoi gjuhën e përdorur nga pjesëmarrësit, të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij dhe ndryshimin e qeverisë.
“Ky mishmash ka një devizë përbashkuese, ne jemi populli, ne s’e durojmë dot më këtë sistem, s’e duam më këtë qeveri, s’e pranojmë më këtë kryeministër. Jep dorëheqjen, bindju popullit!”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se protestuesit, sipas tij, nuk kanë autorizim për të përfaqësuar të gjithë qytetarët, duke nënvizuar se vendimmarrja për qeverisjen bëhet përmes votës.
“Ky mishmash s’ka asnjë lidhje me popullin dhe asnjë autorizim për të folur në emër të popullit, sepse populli flet vetë me votën e tij”, deklaroi kryeministri.
Rama kritikoi gjithashtu mënyrën e komunikimit të protestuesve, duke thënë se ata nuk respektojnë standardet e dialogut dhe të ballafaqimit. Sipas tij, liria për të shprehur bindjet personale nuk duhet të shndërrohet në përpjekje për t’ua imponuar ato të tjerëve.
“Liria dhe e drejta e tyre, e atyre që duan t’u imponojnë të tjerëve bindjet e tyre, mbaron aty ku nis liria e të tjerëve”, tha ai.
Në fund të reagimit, Rama u shpreh se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e mandatit të tij, duke theksuar se do të jetë në krye të detyrës përkrah qytetarëve.
“Unë jam dhe do të jem në krye të detyrës sime deri në ditën e fundit me njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë”, përfundoi Rama.