Rama: Qeveria mbulon 80% të kostos së studimeve për studentët e Mjekësisë, kemi miratuar 100 milionë euro për konviktet

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria mbulon 80% të kostos së studimeve për studentët e Mjekësisë në Tiranë, ndërsa ka bërë të ditur se janë në dispozicion 100 milionë euro për konviktet.
Në një reagim për çështjet që lidhen me studentët dhe arsimin e lartë, Rama tha se tarifa që paguajnë studentët e Mjekësisë përfaqëson më pak se 20% të kostos së studimit, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga qeveria.
“Për të gjithë ju që nuk keni nga ta dini se çfarë përfitimesh ju vijnë: 60%, ose 6 në 10 studentë, falë atij pakti përfitojnë një formë mbështetjeje nga shteti. Marrin bursë, 4.648 studentë marrin bursë për nevojë, të tjerë marrin bursë sa një pagë minimale. 10 mijë janë përjashtuar nga tarifa.
Treçerekun e financimit të universiteteve publike e bën qeveria. Te Mjekësia në Tiranë, tarifa për studimet përfaqëson më pak se 20% të kostos për student. Kjo qeveri u mbulon 80% të kostos së studimit studentëve të Mjekësisë, pa llogaritur këtu ata që marrin bursa.
Këto lekë dalin nga ato biznese që rrinë mbyllur nga terrori i gurëve.
Në Tiranë, tarifat që paguajnë studentët për konvikte mbulojnë më pak se 1/3 e kostos.
Tani janë në dispozicion, të negociuara dhe të miratuara, 100 milionë euro për konviktet.“, tha Rama




