Rama: TVSH-ja në hoteleri rritet në 10%, supertaksa për apartamentet bosh dhe vilat në bregdet

Kryeministri Edi Rama, në një mesazh drejtuar qytetarëve në kuadër të paketës së re fiskale, ka bërë me dije disa nga ndryshimet që pritet të përfshihen në politikat e reja të taksimit. Kreu i qeverisë ka konfirmuar se do të mbetet i paprekur zotimi për taksën zero mbi fitimin për biznesin e vogël deri në vitin 2029, ndërsa paralajmëroi rritjen e TVSH-së për sektorin e hotelerisë, me përjashtim të agroturizmit, si dhe vendosjen e taksave të reja për pronat luksoze dhe makinat e shtrenjta.
“Qëndron i paprekur zotimi ynë publik, taksa zero mbi fitimin për gjithë biznesin e vogël deri në 2029”, deklaroi Rama, duke nënvizuar se qeveria do të vijojë të mbajë në fuqi këtë angazhim ndaj sipërmarrjeve të vogla.
Një nga ndryshimet kryesore të njoftuara lidhet me sektorin e hotelerisë, ku norma e TVSH-së pritet të rritet nga 6% në 10%, ndërsa agroturizmi do të përjashtohet nga kjo rritje. Sipas kryeministrit, masa synon të nxisë formalizimin e sektorit, në kushtet kur të ardhurat e bizneseve të hotelerisë janë rritur nga viti në vit.
“Rrisim normën e TVSH-së në hoteleri nga 6% në 10%, duke përjashtuar nga kjo rritje agroturizmin. Është një masë që duhet të jetë një mesazh për pronarët e hoteleve, nga të cilët kërkohet formalizim, në kushtet kur të ardhurat e tyre rriten çdo vit”, u shpreh Rama.
Super taksa për apartamentet bosh
Një tjetër element i paketës së paralajmëruar lidhet me pronat e paluajtshme, veçanërisht apartamentet që mbahen bosh dhe nuk jepen me qira, si dhe vilat luksoze në zonat bregdetare.
Rama argumentoi se rritja e shpejtë ekonomike dhe shtimi i kostove të jetesës krijojnë diferenca sociale që kërkojnë ndërhyrje përmes politikave fiskale. Sipas tij, një nga masat që po shqyrtohet është vendosja e një takse më të lartë për pronarët që blejnë apartamente dhe i mbajnë ato bosh, duke mos i nxjerrë në tregun e qirave.
“Një super taksë prone për ata që blejnë dhe mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qira. Është e drejta e tyre, por duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve”, u shpreh kryeministri.
Në të njëjtën linjë, Rama njoftoi se qeveria po përgatit edhe një taksim më të lartë për vilat në bregdet, si dhe një çmim të shumëfishuar për ujin që përdoret në pishinat private. Sipas tij, këto masa do të trajtohen përmes një projektligji të veçantë.
“Një super taksë prone për vilat në bregdet. Edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin në pishinat. Kjo shkon në një tjetër ligj”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



