
Kryeministri Edi Rama akuzoi disa televizione se financohen me “para të pista” dhe se u bëjnë jehonë akteve të dhunës ndaj policisë.
“Shqipëria nuk përfaqësohet nga ekranet e korruptuara televizive”, u shpreh Rama, duke kritikuar edhe personazhe mediatike, të cilët, sipas tij, përfitojnë nga evazioni fiskal dhe nxisin urrejtjen.
Kreu i qeverisë pretendoi se disa media jo vetëm që i japin hapësirë dhunës, por edhe “i mbajnë ndezur antenat me para të pista”, duke akuzuar gjithashtu se, përmes ekraneve të tyre, u bëhet jehonë dhunuesve.
Rama theksoi se këto media dhe kundërshtarët e tij kërkojnë largimin e tij nga detyra, por deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen dhe do të qëndrojë në krye të qeverisë deri në ditën e fundit të mandatit.
