“Shteti vonon, por nuk harron”, Rama fton studentët në dialog: Unë kur isha lider i opozitës i kam shkruar letër kundërshtarit tim

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje studentëve për dialog, duke deklaruar se është i gatshëm të dëgjojë kërkesat e tyre dhe për të diskutuar se çfarë mund të bëjë qeveria më mirë për ta dhe për Shqipërinë.
Rama:
“Unë gjuhën e forcës, të imponimit, të dhunës, nuk e njoh dhe civilizimin europian, traditën shqiptare të radhës në të folur apo normat e bashkëjetesës demokratike, nuk i negocioj me askënd.
Kur isha pedagog i ri, bashkë me të tjerë pedagogë dhe studentë në Akademinë e Arteve, u rebelova ndaj një regjimi brutal pikërisht sepse doja liri, jo imponim, doja dialog të lirë jo dhunë qorre mbi cdo mendim dhe në vazhdën e atij rebelimi të guximshëm po paqësor që u përhap në të gjithë universitetin, studentët e ulën në dialog Presidentin komunist dhe nga aty mori jetë pluralizmi politik.
Më pas, kur isha lider i opozitës, unë i kam shkruar edhe letra për dialog paraardhësit tim, që dialogun me kundërshtarin e di ulje përtokë të hundës së përpjetshme.
Dhe si kryeministër, me dialog e koordinova përpjekjen e përbashkët me studentët për Paktin për Universitetin, pas protestës masive të vitit 2018. Edhe atëherë, u deshën disa javë që të niste dialogu, sepse edhe atëherë, po ata tipa të mbrapshtë mes pedagogëve tuaj, nga një qorr neo-komunist tek ca të verbër demokratikas, bashkë me të reja e të rinj që u venin pas si ithtarët idhujve të rremë, bënin po këtë punë që bëjnë sot: ‘’S’ka dialog, plotëso pikat tona’’!
Mirëpo halli është se sikur të funksiononte kështu liria, nuk do kishte më bashkëjetesë demokratike, po mbijetesë xhungle, kështu që ‘’o bëj si themi ne o ne do thyejmë e do djegim dynjanë, e nuk do shkojmë në mësim, po s’duam mungesa’’ e të tjera si këto, nuk ka!
Ejani të ulemi ku të doni e kur të doni për ato që mendoni se ne duhet të bëjmë më shumë dhe unë duhet të bëj më mirë, për ju, për universitetin dhe për Shqipërinë po të doni.
Dhe ju lutem mos e hani më atë teorinë hileqare që jua përsërisin ata të keqkuptuarit ndër ju që kapën gurët dhe që morën duartrokitjet e atyre të tjerëve në ekranet e korruptuara, se medemek unë nuk ju dëgjova katër muaj në protestë paqësore, prandaj dhuna na paskësh mbetur e vetmja rrugë. Në fakt, unë i dëgjova ata më shumë se askush, se i kisha përnatë këtu poshtë dritares, ndërkohë që unë isha në zyrë duke punuar po kryefjala e tyre ishte po ajo e ditës së parë: ‘’Nuk ka dialog, jep dorëheqjen’’!
I mësova përmendësh edhe fjalimet e tyre, po vizion, ide, kritika sfiduese nuk shquajta dot në atë kakofoni mllefi dhe folklorizmash nacionalistë, që mos o Zot i kanë rrotulluar në varr profetët e kombit shqiptar.
Në ndërkohë, për të gjithë ju që nuk keni nga ta dini se çfarë përfitimesh ju vijnë pikërisht nga ai Pakti për Universitetin, po edhe për të tjerët që mund të bien pre e agjitatorëve simpatikë të instagramit e të tik-tokut, të cilët dinë të përqeshin me një talent të pamohueshëm po nuk kanë kohë t’i hyjnë llogarive, shifrave e fakteve, po ju rreshtoj:
-60%, ose 6 në 10 studentë, sot falë atij pakti përfitojnë të paktën një formë mbështetjeje të drejtpërdrejtë nga shteti.
-4118 studentë marrin bursë për rezultate të larta në studime;
-4648 studentë të tjerë marrin bursë si fëmijë familjesh në nevojë;
-434 studentë të shkëlqyer marrin bursë sa një pagë minimale çdo muaj;
-10152 janë të përjashtuar plotësisht nga tarifa e Universitetit;
-27050 të tjerëve ua paguan qeveria 50% të tarifës së studimit.
Të gjitha këto thonë që treçerekun e financimit të universiteteve publike e bën qeveria. Për shembull në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, nga ku një grup studentësh lënë mësimin prej dy javësh dhe bllokojnë ‘’rrugën e Durrësit’’, duke lënë pa punë të tjerët aty e duke penguar lëvizjen e shumë të tjerëve në qytet, tarifa për studimet përfaqëson më pak se 20% të kostos për student, ndërkohë që kjo qeveri, përsëri falë Paktit për Universitetin, i mbulon më shumë se 80% të kostos së studimit studentëve të mjekësisë, pa llogaritur këtu studentët që përfitojnë nga përjashtimet ose përgjysmimi i tarifës.
Një kujtesë të vogël: Qeveria i nxjerr këto lekë nga kontributet e pikërisht atyre bizneseve në ‘’rrugën e Durrësit’’ që rrinë mbyllur nga terrori i gurëve, atyre të tjerëve që qarkullojnë mallrat e shërbimet në rrugën e bllokuar të Durrësit dhe të gjithë atyre qytetarëve e bizneseve të Tiranës e të Shqipërisë, që në këto javë dhune e anarkie, kanë humbur qetësinë dhe kanë punuar dhe kanë prodhuar më pak të ardhura.
Po ashtu në Tiranë, tarifat që paguajnë studentët për konviktet mbulojnë më pak se një të tretën e kostos vjetore, pa llogaritur këtu investimet që janë bërë dhe do të vazhdojnë të bëhen për të rritur kapacitetet dhe cilësinë e konvikteve – dhe meqë ra fjala janë tani në dispozicion të negociuara dhe të miratuara prej kohësh 100 milionë Euro të tjera për konviktet. Sepse Pakti i Universitetit nuk është një postim në Instagram apo në Tik-Tok, as një platformë e harruar elektorale e atyre partive që premtojnë qilima fluturues se e dinë që nuk do fluturojnë dot asnjëherë deri na maj por është marrëveshja jonë me universitetin dhe studentët e 2018-ës, falë të cilëve po përfitoni edhe ju sot.
Ndërkohë që, nëse doni ta rishikojmë Paktin e të lini gjurmën tuaj edhe për studentët pas jush, bujrum, me dialog, me njerëzillëk dhe durim. Unë jam gjithnjë në dispozicion në vendin dhe në kohën që mund ta zgjidhni vet.
Nga ana tjetër, lajmi i mirë nga ana jonë për ju, që vjen edhe ky nga ekonomia e rritur si të gjitha lajmet e sotme, është se të gjithë studentëve që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike bursa u rritet me plus 15 mijë lekë të reja, pra u bëhet praktikisht sa një gjysmë page minimale, 25 mijë lekë dhe u shtrihet edhe në nivelin master.
Ndërkohë në ligjin e ri për strehimin, që është tanimë në Parlament, kemi parashikime të tjera lehtësuese për studentët e për çiftet e reja, që nga qiratë e bashkë-financuara me qeverinë deri te kreditë me zero apo vetëm 3% interes sipas kritereve dhe kushteve që përcaktohen nga ligji.
Po ashtu, do të sjellim edhe një risi për praktikat e punës, duke vendosur kusht për biznesin që sipas një formule të caktuar, të punësojë studentë me një gjysmë page minimale.”
Nganjëherë shteti vonon por asnjëherë shteti nuk harron!
Dhe unë nuk jam as bloger, as influencer, e nuk kam as detyrë të pëlqehem as nevojë të marr pëlqime, po kam detyrë ta udhëheq Shqipërinë drejt objektivit historik, tryezës së Bashkimit Europian. Prandaj nuk ndalem, nuk ndalemi, nuk do të më ndalin dhe nuk do na ndalë dot askush. Kush jemi ne? Ne jemi shumica e shqiptarëve!




