Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj reagon mbi transferimin në Fier: Përbën një rrëmbim policor, po cenohen të drejtat e mia


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka kundërshtuar transferimin nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Durrës drejt paraburgimit të Fierit, duke pretenduar se procedura po kryhet pa iu vënë në dispozicion urdhri zyrtar dhe pa iu bërë të ditura arsyet ligjore.

Në një deklaratë të datës 28 tetor 2026, Veliaj bëri të ditur se punonjës të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në institucionin ku ai mbahet për të realizuar transferimin.

Sipas tij, si ai vetë, ashtu edhe avokati i tij, kanë kërkuar disa herë të njihen me dokumentin që urdhëron lëvizjen dhe arsyet që e justifikojnë atë, por kërkesat janë refuzuar.

“Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”, deklaron Veliaj.

Kryebashkiaku thekson se nuk ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe se ka kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, duke pretenduar se mungesa e transparencës nuk i mundëson ushtrimin efektiv të të drejtave të tij ligjore.

Në deklaratën e tij, Veliaj u ka bërë thirrje publike Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit që të ndërhyjnë për të verifikuar arsyet dhe shkaqet e transferimit, të cilin e cilëson politik.